Trupat ndërkombëtare janë duke planifikuar të qëndrojnë në Afganistan përtej afatit të fundit që ishte muaji maj, ashtu siç qe paraparë me marrëveshjen mes talebanëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë bërë të ditur zyrtarë të NATO-s të dielën.
“Nuk do të ketë tërheqje të plotë nga aleatët deri në fund të prillit”, i kishte thënë kështu Reutersit njëri nga zyrtarët.
“Kushtet nuk janë përmbushur”, ka thënë ai në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes. “Dhe me administratën e re të SHBA-së, mund të ketë lëvizje të politikave, qëllimi i një largimi të shpejtë që ishte dominues, do të rishikohet dhe ne do të mund të shohim një strategji largimi shumë më të llogaritur”.
Administrata e presidentit të atëhershëm Donald Trump, në fillim të vitit të kaluar e nënshkroi një marrëveshje me talebanët, marrëveshje që u bënte thirrje të gjithë trupave ndërkombëtare për tërheqje deri në maj, nëse talebanët i përmbushnin disa garanci të sigurisë.
Trumpi e konsideronte marrëveshjen – e cila nuk e përfshinte Qeverinë afgane – si fundi i dy dekadave luftë. Ai e zvogëloi numrin e trupave amerikane në 2500 deri në janar, që është numri më i vogël i trupave amerikane që nga viti 2001.
Planet mbi atë se çfarë do të ndodhë në prill, tani janë duke u konsideruar dhe me gjasë do të jenë temë kryesore në takimin e NATO-s që do mbahet në shkurt, thanë burimet nga NATO-ja.
Pozicionimet e NATO-s janë duke u bërë çdo ditë më të rëndësishme, pas një mënjanimi që pati kjo aleancë nga ish-presidenti Trump, thonë diplomatët dhe ekspertët.
Bisedimet për arritjen e paqes në mes Qeverisë afgane dhe talebanëve kanë filluar në shtator në Doha, por dhuna ende mbetet në nivele të larta.
“Asnjë aleat i NATO-s nuk dëshiron të qëndrojë në Afganistan më gjatë sesa është e nevojshme, por ne kemi qenë të qartë që prezenca jonë vazhdon të jetë e bazuar në disa kushte”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.
Nuk ka vendim përfundimtar
NATO-ja nuk ka marrë ndonjë vendim, ka thënë ajo, duke shtuar se mbledhja e ministrave të mbrojtjes së NATO-s nuk mund të paramendohej. NATO-ja vazhdon t’u bëjë thirrje të gjitha palëve që ta zënë hapin historik për paqe.
“NATO-ja e mbështet plotësisht procesin e paqes të Afganistanit, më qëllim që të sigurohet se Afganistani nuk do të vazhdojë të jetë strehë e sigurt për terroristët, që më pas do t’i sulmonin vendet tona”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Lungescu.
Rreh 10.000 trupa, duke përfshirë trupat amerikane, vazhdojnë të jenë të pranishme në Afganistan, ka thënë Lungescu.
Burimi nga NATO ka thënë që niveli i trupave që pritet të qëndrojnë deri pas majit është pak a shumë i njëjti, por plani se çfarë do të ndodhë pastaj nuk është i qartë. Kabuli si dhe disa qeveri e organizata ndërkombëtare kanë thënë që talebanët kanë dështuar t’i plotësojnë kushtet, për shkak të dhunës dhe dështimi për t’u ndarë nga grupet militante siç është “Al Qaeda”, gjë që talebanët e mohojnë.
Administrata e Joe Bidenit, i cili e zëvendësoi Trumpin më 20 janar, ka nisur një vlerësim të marrëveshjes së paqes që kishte arritur paraardhësi i tij.
Një zëdhënës i Pentagonit ka thënë se talebanët nuk e kanë respektuar marrëveshjen, por Washingtoni vazhdon të jetë besnik ndaj projektit dhe që ende nuk është vendosur për nivelin e trupave për të ardhmen.
Një përfaqësues i Departamentit të Shtetit ka thënë se Bideni është i vendosur që ta sjellë një “përfundim të përgjegjshëm të luftërave”, derisa vazhdon mbrojtjen e amerikanëve nga terroristët dhe kërcënimet e tjera”.
Shqetësimi në rritje
Talebanët janë duke u shqetësuar javëve të fundit për mundësinë që Washingtoni mund të ndryshojë disa nga aspektet e marrëveshjes dhe t’i mbajë trupat në vend përtej majit, i kanë thënë Reutersit dy burime, pjesë e talebanëve.
“Ne i kemi cekur mendimet tona, por ata na kanë siguruar që do ta respektojnë dhe do të veprojnë në bazë të Marrëveshjes së Dohas. Por ajo çfarë është duke ndodhur në Afganistan, është duke shfaqur diçka tjetër. Dhe kjo është arsyeja se pse kemi vendosur t’i dërgojmë delegacionet tona që ta kërkojnë besimin e aleatëve tanë”, ka thënë një lider i talebanëve në Doha.
Një delegacion taleban në këtë javë ka vizituar Iranin dhe Rusinë, dhe lideri i tyre ka thënë që janë në kontakte edhe me Kinën.
Edhe pse takime jozyrtare në mes negociatorëve në Doha kanë qenë duke ndodhur, progresi ka qenë i ngadaltë javëve të fundit pas pothuaj një muaj pushimi, sipas negociatorëve dhe diplomatëve.
Zëdhënësi i Talebanëve, Zabidullah Mujahid, i ka thënë Reutersit se kryengritësit vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik procesit të paqes.
“Nuk ka dyshim që nëse Marrëveshja e Dohas nuk implementohet do të ketë pasoja, dhe faji do të jetë në anën e cila nuk e nderon marrëveshjen”, ka thënë ai. “Pritjet tona janë që edhe NATO është duke menduar ta përfundojë këtë luftë dhe t’i shmangë arsyetimet për zgjatjen e luftës në Afganistan”.
NATO-ja dhe Washingtoni do ta kenë një situatë sfiduese që t’i bindin talebanët për shtyrjen e afatit përtej majit.
Një takim i ministrave mbrojtës të NATO-s, më 17 e 18 shkurt, do të jetë një shans i mirë për NATO-n, që së fundmi ka marrë fuqi që të vendosë se si do të formësohet procesi, ka thënë një burim i lartë evropian.
“Me administratën e re e cila po vjen do të kemi rezultate më bashkëpunuese, dhe shtetet anëtare të NATO-s do të kenë një zë të përbashkët”.