Pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në lidhje me targat, gjatë ditës së sotme do të takohen Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Në një komunikatë për media, zëdhënesja e NATO-s, Oana Lungescu, ka thënë se e mirëpresin marrëveshjen mes të dyja palëve teksa ka shtuar se KFOR-i do të luajë rol kyç në zbatimin e saj.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO do të luajë rol kyç për të siguruar zbatimin efektiv të marrëveshjes, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 të vitit 1999 që mandaton KFOR-in të sigurojë një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në komunikatë, transmeton Klankosova.tv.
Tutje, në këtë komunikatë thuhet se NATO vazhdon ta mbështesë dialogun Kosovë – Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Kujtojmë se në marrëveshjen e arritur sot, forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës të vendosura në pikat 1 dhe 31 do të largohen së bashku me barrikadat e vendosura nga ana e serbëve në rrugët që të çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.