NATO ka sjell disa prej trupave rezervë të misionit paqësor, KFOR, për ushtrime në Kosovë, ka thënë të mërkurën një nga komandantët e misionit, në një kohë tensionesh para përfundimit të afatit për kthimin e targave të veturave me tabela ilegale serbe në RKS, ka shkruar “Reuters”.
Përpjekjet e kaluara nxitën telashe në veri të vendit, me serbët lokalë që bllokuan rrugët kufitare. Kosova u pajtua të shtynte afatin deri më 31 tetor.
Komandanti rajonal i KFOR-it, kolonel Christopher Samulski, u ka thënë gazetarëve në Kampin Bondsteel, se kjo është pjesë e planifikimeve të NATO-s.
Në Kosovë janë rreth 3700 trupa të NATO-s.
Të martën, zëvendëskomandanti i KFOR-it ka thënë se NATO-ja nuk ka përjashtuar mundësinë e tensioneve të reja në veri, kur po afrohet afati për përfundimin e kthimit të targave ilegale në RKS.
Samulski ka bërë të ditur se rezervistët e parë janë nga Britania e Madhe.
Ai s’ka dhënë shifra konkrete se sa trupa kanë arritur në Kosovë, por ka thënë se bëhet fjalë për madhësi të “një njësiti të batalionit”. Një batalion zakonisht i ka prej 500 deri në 1000 trupa.