NATO-ja nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga Kosova për shtim të numrit të trupave në misionin e saj, KFOR.
Siç bëjnë të ditur nga kjo organizatë paqeruajtëse, KFOR-i momentalisht ka kapacitete të nevojshme për të ofruar siguri dhe lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët.
“KFOR-i mbetet plotësisht i aftë për të përmbushur misionin në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara. Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes janë në rrezik”, ka thënë një zyrtar i NATO-s për REL.
Kjo deklaratë u dha pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri thirrje që NATO-ja të shtojë kapacitetet e saj në Kosovë, pas tensioneve të fundit me Serbinë.
“Një rritje substanciale e ushtarëve të NATO-s dhe pajisjeve ushtarake në shtetin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për gazetën gjermane, Die Welt, e transmetuar më 1 janar.