Gjykata Themelore në Prishtinë ka filluar shqyrtimin e një rasti administrativ në afat rekord, shkruan sot “Koha Ditore”.
Përderisa për t’u shqyrtuar një lëndë administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë duhet të kalojnë mesatarisht 818 ditë, padia e ish-drejtorit të Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti, “ka ardhur në radhë” për rreth 30 ditë për shqyrtim në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ish-drejtori i Krimeve Ekonomike, major Nazim Sahiti, e ka paditur Policinë e Kosovës dhe e ka atakuar në gjykatë vendimin e drejtorit aktual, Rashit Qalaj, i cili përmes një vendimi Sahitit ia kishte ndërruar vendin e punës. Rreth një muaj pasi Sahiti përmes avokatit e ka dorëzuar lëndën në gjykatë, gjykata e ka marrë në trajtim.
Gazeta i ka shkruar e telefonuar gjykatësit të rastit, Lekë Prenaj, por ai nuk ka kthyer përgjigje.