Njeriu mund të jetë i zëvendësueshëm për thuajse gjithë gjërat që i bën, por njeriu kurrë nuk mund të zëvendësohet për atë që ai është. Nazmiu, me kujtimet e takimeve me të, por mbi të gjitha me punët e kontributet e tij si profesionist drejtues i nivelit të lartë, në këtë kuptim, është i pazëvendësueshëm për ne, në zemrat tona”. Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, para familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve në mbledhjen komemorative për z. Nazmi Mikullovcin, e cila filloi me një minutë heshtje në nderim të jetës dhe veprës së tij.
Duke përkujtuar jetën dhe veprën e z. Mikullovci në shërbim të vendit, e veçmas në fushën e ekonomisë, kryeministri Kurti tha do të na duhen shumë e shumë vjet për të sjellur në ekonominë e Kosovës një figurë publike që është drejtor si ai, që drejton si ai.
Më tej, kryeministri tha se Kosovën si ekonomi industriale e njeh prej tij si prej askujt tjetër, përfshirë këtu edhe librat për ekonominë në Kosovë.
Andaj, shtoi ai, fjalët nuk mjaftojnë për ta përshkruar nderin e respektin që kemi e që kam për të, në aspektin e tij personal, profesional e qeverisës.
Me fjalë rasti në këtë mbledhje komemorative u drejtuan edhe Mentor Mikullovci, djali i të ndjerit, si dhe Kryesuesi i Bordit “Trepça” Sh.A., z. Bahri Hyseni, Zëvendëskryesuesja e Bordit të AKP-së, znj. Suzana Dautaj- Surdulli dhe Kryesuesi i Bordit “Ibër Lepenci”, z. Bajram Mustafa, ndërkaq në pamundësi për të qenë i pranishëm për shkaqe shëndetësore me një letër u drejtua Akademik Mynir Dushi.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti në mbledhjen komemorative në nderim të veprës së z. Nazmi Mikullovci:
E nderuara Znj. Myzejene, të nderuar familjarë të Nazmi Mikullovcit,
Të nderuar bashkëveprimtarë, kolegë, studentë, miq të z. Mikullovcit,
Të nderuar të pranishëm të pikëlluar prej humbjes që e pësuam.
Z. Mikullovci, apo axha Nazmi siç e kemi quajtur ne aktivistët, dje na la përgjithmonë dhe ndërroi jetë.
“Njeriu mund të jetë i zëvendësueshëm për thuajse gjithë gjërat që i bën, por njeriu kurrë nuk mund të zëvendësohet për atë që ai është. Nazmiu, me kujtimet e takimeve me të, por mbi të gjitha me punët e kontributet e tij si profesionist drejtues i nivelit të lartë, në këtë kuptim, është i pazëvendësueshëm për ne, në zemrat tona.
Vite më parë mund të ketë pasur njerëz që shtronin pyetjen: si ka mundësi që po shkon në Lëvizjen Vetëvendosje ky zotëri, me këtë përvojë fantastike si drejtor ndërmarrjesh shumë të fuqishme?
Pse erdhi Nazmiu në Lëvizjen Vetëvendosje, ku ne ishim të rinj e të pasprovuar nga jeta?. Me siguri ka ardhur për arsyen e moskorruptimit tonë, dhe faktit që besojmë në ringritjen e industrive. Por kam një hipotezë që nuk e vërtetoj dot. Rol në ardhjen e tij në organizatën tonë ka luajtur edhe vetë biografia e tij. Të mos harrojmë, Nazmi Mikullovci ka lindur në vitin 1943 në Vushtrri. Por Vushtrria edhe në atë kohë e donte fort Shqipërinë. Prandaj edhe erdh te ne, e ne shkuam tek ai.
E pra të nderuar të pranishëm, Nazmi Mikullovci, një prej menaxherëve më të mirë që ka pasur Kosova ndonjëherë, nuk e kishte problem të shoqërohej me ne, të cilët ishim shumë më të ri e me pak përvojë. Mbase ne nuk kishim fort çka t’i mësonim Nazmiut, por prej tij ne kemi mësuar shumë, në Lëvizje e jashtë saj. Nuk është e rastësishme që viti kur Nazmi Mikullovci anëtarësohet në VETËVENDOSJE! përputhet me vitin kur ne të Lëvizjes e hartojmë për herë të parë programin për zhvillim ekonomik, pra në 2010.
Nazmi Mikullovci sivjet bëhej 80 vjeç, e megjithëkëtë deri në fund jetoi i angazhuar. Edhe kur s’lëvizte dot për shkak të sëmundjes, ai me Zoom ishte në mbledhje e në takime. Madje edhe të hënën e 27 shkurtit, katër ditë para vdekjes, e ka udhëhequr mbledhjen e Bordit! Një anëtare e Bordit më tha që kur shkonim në spital kjo nuk ishte vetëm që ta vizitonim axhën Nazmi, por edhe të konsultoheshim me të, me mprehtësinë e mendjes së tij, që, me shpejtësi, panumër rrugë e mundësi të ndryshme të vendimmarrjes i reduktonte në disa kryesoret për nga drejtësia dhe dobia, për ta përzgjedhur më të mirën.
Kur bisedonim me axhën Nazmi në Vetëvendosje ose në Kryeministri, sa herë që pas fjalës sime ai heshte nja pesë a gjashtë sekonda, unë e dija që e kam gabim. E dija që ajo që do të thoshte ai do të ma ndryshonte mendjen mua. Në fillim çuditesha, pastaj u mësova, po gjithnjë përfitova prej tij.
Pas Trepçës dhe KOSTT-it, së fundmi kapacitetet e tij u vendosën në funksion të rigjallërimit të industrisë dhe aseteve të Kosovës. Ai mbante pozitën e drejtorit të bordit të AKP-së, me votim nga Parlamenti i Kosovës. Andaj, vendi ynë pra po humb një zyrtar të nivelit shumë të lartë.
Duke ju falënderuar Drejtorit Mikullovci, ndërmarrja shoqërore ‘Brezovica’ u fut nën administrim të plotë të AKP-së dhe u fiskalizua e u funksionalizua, pastaj u realizuan shkurtime shumë milionëshe të shpenzimeve në AKP, u përpilua Strategjia Përmbyllëse e AKP-së dhe u bë evidentimi i afër 2.400 aseteve të AKP-së në një regjistër të përbashkët nga të cilat rreth 70% do t’i kalojnë Fondit Sovran.
Të nderuar të pranishëm,
Unë nuk njoh njeri të lindur për drejtor sikurse Nazmiun. Do të na duhen shumë e shumë vjet për të sjellur në ekonominë e Kosovës një figurë publike që është drejtor si ai, që drejton si ai. Vdekja e Nazmi Mikullovcit është vdekja e Drejtorit.
Kosovën si ekonomi industriale unë e njoh prej tij si prej askujt tjetër, përfshirë këtu edhe librat për ekonominë në Kosovë.
Andaj fjalët nuk mjaftojnë për ta përshkruar nderin e respektin që kemi e që kam për të, në aspektin e tij personal, profesional e qeverisës.
Me shuarjen e Nazmiut, nuk shuhen kujtimet e gjurmët e tij, njeriut që filloi punën në Trepçë në vitin 1965 e vazhdoi deri në 1990, kur u largua prej masave të dhunshme, e kur ju rikthye asaj menjëherë pas çlirimit. Trepça do ta kujtojë me mall Nazmiun, drejtorin e saj, të paraluftës mbi 14 vjet e të pasluftës edhe mbi 7 të tjera; drejtorin e viteve të arta të prodhimtarisë së Trepçës para suprimimit të autonomisë së Kosovës, dhe, drejtorin e viteve të para të rimëkëmbjes së Trepçës pas çlirimit të Kosovës.
Sot i themi lamtumirë axhës Nazmi, kurrë nuk do të na shlyhet prej mendjes fytyra e tij e dashur e fjalët e tij të mençura.
Dhe, mbetemi me shpresën që menaxherët e rinj të Kosovës të gjejnë frymëzim të njëmendtë te Nazmi Mikullovci, i cili ka qenë gjatë gjithë jetës menaxher shumë i suksesshëm, jo me synimin e pasurimit të vetes, por atë të zhvillimit, të shoqërisë e të kombit.
Sot ngushëllojmë nga zemra familjarët dhe gjithë dashamirët e axhës Nazmi. Ai tash është takuar bashkë me vëllain e tij, Adem Mikullovcin, deputetin tonë të ndjerë, pjesëmarrësin në Deklaratën Kushtetuese të Kaçanikut në 1990, aktorin e madh që e ka ruajtur buzagazin e shqiptarëve edhe në kohët e dhimbjeve të mëdha.
Kjo familje ka dhënë shumë për vendin tonë, e duke i njohur edhe Jetonin e Fatonin, Besimin e Mentorin, e Naimin, më besoni të nderuar të pranishëm që, kam krijuar bindjen se, nuk ka Mikullovc të zakonshëm.
U prehtë i qetë e në paqe! Kemi shumë mall që na la, jemi me shumë fat që e patëm.
Ju falemnderit.