Në edicionin e 75-të të NBA organizatorët kanë modifikuar rregullat duke ndryshuar mënyrën e kualifikimit për dy skuadrat e fundit të secilës konferencë. Në këtë mënyrë pas 72 ndeshjeve të sezonit të rregullt katër ekipet që u klasifikuan nga vendi i shtatë deri në pozicionin e dhjetë do të vijojnë rrugëtimin e tyre për të siguruar edhe pjesëmarrjen në shortin përfundimtar të fazës play off.
Më herët Indiana Pacers mposhti Charlotte Hornets 144-117 dhe ekipi i Boston Celtics mundi Washington Wizards me shifrat 118-100, prej nga ku fitoi të drejtën për të kaluar mes tetë skuadrave më të mira të Lindjes pikërisht franchise nga Massachusetts, Boston Celtics, që futet në shortin kryesor me numrin 7, e për rrjedhojë formacioni i drejtuar nga trajneri Brad Stevens do të masë forcat me ekipin e dytë më të mirë të kësaj konference në “regular season” Brooklyn Nets.
Pra skuadra e tetë në Lindje që do të sfidojë Philadelphia 76ers do të dalë nga dueli Washington Wizards–Indiana Pacers, ndërsa një ditë më pas radhën e patën skuadrat e Konferencës së Perëndimit.
“Regular season” në këtë konferencë pa tre skuadra si Dallas Mavericks, Portland Trail Blazers dhe Los Angeles Lakers që ta përfundonin sezonin e rregullt në të njëjtën kuotë, me nga 42 fitore e 30 humbje, sidoqoftë ata që e pësuan ishin pikërisht kampionët në fuqi, që u shtrënguan për të rrëshqitur në zonën e ashtuquajtur play – in.
Kështu në Konferencën e Perëndimit shorti i kësaj faze vuri përballë dy ekipe si Los Angeles Lakers dhe Golden State Warriors. Lakers përfaqësojnë një nga dy franchise-t më të suksesshme bashkë me Boston Celtics, me nga 17 tituj gjithsej, ndërsa skuadra e drejtuar nga trajneri i mirënjohur Steve Kerr krenohet me plot 5 finale të zhvilluara në 6 sezonet e fundit, e në tre prej këtyre rasteve Warriors janë kurorëzuar edhe me trofeun e lakmuar Larry O’Brien.
Franchise nga San Francisco e mbylli sezonin e rregullt me tre fitore më pak se sa ekipi i drejtuar nga trajneri Frank Vogel, kështu që favorin e faktorit fushë natyrisht e patën kampionët në fuqi. Në Staples Center përpara 6.022 spektatorëve miqtë udhëhoqën takimin nga sekondat e para e deri në fillimin e periodës përmbyllëse. Në këtë mënyrë në 12’ hapës Golden State u shkëput deri në shifrat 15-4, ndërsa në interval Warriors shkuan me epërsinë e plot 13 pikëve, 55-42.
Vendasit provuan të afrohen, megjithatë në periodën e tretë miqtë u shkëputën sërish, për të udhëhequr me rezultatin 72-60, sidoqoftë “liqenorët” filluan pak e nga pak të hyjnë në lojën e tyre të zakonshme duke dominuar ndeshjen. Për rrjedhojë falë një ecurie të pjesshme 17-7 nga -12 Lakers shkuan në 12’ e fundit me disavantazhin e vetëm një koshi 79-77.
Në startin e 12’ të fundit Lakers realizuan 8 pikë radhazi, ndërkohë pas barazimeve 91-91 dhe 93-93 Warriors morën përsëri kryesimin në shifrat 98-95. Ndeshja ishte vërtet shumë dramatike dhe pas epërsisë 100-98 të ekipit nga Los Angelesi rezultati u barazua sërish në 100-100, por sidoqoftë 58,2” para sirenës Mbreti James shënoi nga jashtë perimetrit për tre, duke vulosur edhe shifrat përfundimtare të takimit 103-100. Steph Curry e përfundoi sfidën me 37 pikë, ndërsa në krahun tjetër Anthony Davis e mbylli ndeshjen me 25 pikë e 12 topa të rekuperuar.
Një kontribut të jashtëzakonshëm dha për Lakers gjithashtu edhe vetë LeBron James, që e përfundoi takimin me triple – double, me 22 pikë, 11 rebound e 10 asist, në dicka më pak se 35’ që qëndroi gjithsej në parket.
Në këtë konferencë kampionët në fuqi siguruan kështu pozicionin e shtatë, duke hyrë në këtë mënyrë drejt e në shortin përfundimtar, ku Lakers do të përballen me ekipin e dytë më të mirë të Perëndimit Phoenix Suns. Pavarësisht kësaj disfate në këtë konferencë Golden State Warriors tani e kanë edhe një mundësi të dytë, por gjithsesi franchise nga San Francisco do të duhet të mposhtë patjetër në Chase Center ekipin e Memphis Grizzlies.
Ekipi nga Tennessee eliminoi në shtëpi skuadrën e San Antonio Spurs duke fituar takimin me thjesht 4 pikë diferencë. Në FedExForum vendasit për pak sa nuk hodhën në erë epërsinë e 21 pikëve, që Grizzlies kishin në periodën hapëse, duke patur parasysh faktin që në mesin e 12’ të fundit ekipi teksan udhëhoqi 83-81. Që nga ai moment skuadra e drejtuar nga trajneri Taylor Jenkins shënoi 6 pikë radhazi dhe më pas administroi me qetësi avantazhin e krijuar për të fituar gjithë ndeshjen me shifrat 100-96.
Spikati kanadezi Dillon Brooks me 24 pikë si dhe lituani Jonas Valanciunas me 23 pikë e 23 topa të rekuperuar. Fituesi i duelit Warriors–Grizzlies do të përballet në Perëndim me Utah Jazz, që me 52 fitore e 20 humbje ka bilancin më të mirë të të gjitha skuadrave, në përfundimin e sezonit të rregullt, të këtij edicioni të 75 në NBA.
Zbulimi i prapaskenës, pas projektit të Superligës qëndron FIFABarça gati revolucionin, ulje page ose në merkato, kushti për 14 lojtarëImami: Presioni mbi Partizanit, pse të mos e tentojmë titullin?/SS/