LeBron James siguroi më në fund fitoren e parë si basketbollist i LA Lakers në NBA, teksa ekipi kalifornian mposhti 131-113 Phoenix Suns, me 4 herë fituesin e çmimit “MVP” që shënoi 19 pikë, dha 10 asiste dhe kapi 7 topa në tabelë.
James i kishte të gjitha mundësitë që të shënonte statistika dyshifrore në të trija këto aspekte, “triple double”-n e 74-t në karrierën e tij, pasi gjithçka arriti ta ndërtonte brenda 3 periodave të para, por në të katërtën u ul në stol, duke qenë se ndeshja ishte në favor të kalifornianëve.
Një fitore që vjen gjithashtu edhe me një “rekord”, pasi ishin plot 7 lojtarë të Lakers-ave që regjistruan shifra të dyfishta sa u përket pikëve. Lance Stephenson me 23 points, JaVale McGee me 20 points, si dhe Kyle Kuzma me 17 ishin më kryesorët pas James.
James firmosi 3 muaj më parë me LA Lakers, pasi udhëhoqi Cleveland Cavaliers deri në finalet e mëdha të NBA për të katërtin vit radhazi, përfshi edhe titullin e parë kampion që fituan në vitin 2016. Por, James iu bashkua një klubi që në 5 sezonet e fundit nuk ka mundur dot të sigurojë pjesëmarrjen në “play off”-et e NBA-së, periudha më e gjatë kjo në historinë e kalifornianëve, të cilët janë ndërkohë edhe 16 herë kampionë të NBA-së.
Për Phoenix Suns, Devin Booker shënoi 23 pikë, 7 topa në tabelë dhe 7 asiste, por u largua nga parketi në periodën e tretë për shkak dëmtimi. Deandre Ayton shënoi 22 pikë dhe 11 topa në tabelë, gjithsesi, këto statistika nuk mjaftuan për ta.
Los Angeles fitoi në mungesë të Rajon Rondo, i pezulluar për shkak të pjesëmarrjes në sherrin me Chris Paulin e Houston Rockets, mbrëmjen e së shtunës, sikurse edhe Brandon Ingram.
Në ndeshjet e tjera, Toronto siguroi fitoren e pestë pasi mposhti 112-105 Minnesota Timberëolves; ndërsa Utah Jazz mposhti 100-89 Houston Rockets, që përveç mungesës së Chris Paul, humbi edhe shërbimet e James Harden për shkak dëmtimi.