NBA nis me spektakël. Ndeshje të luftuara deri në pikët e fundit, por edhe emocione të shumta. Ishte kjo ajo që servirën 4 skuadrat pretendente të këtij sezoni që ishin përballë njëra-tjetrës në 2 sfidat hapëse të edicionit 2017-2018, për tu treguar të gjithëve se basketbolli i vërtetë luhet aty në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe spektakli do të jetë i garantuar edhe në këtë sezon. Surprizën e madhe që në start e dhuroi Houston Rockets. Skuadra teksane falë një periode të 4-të fantastike përmbysi një disavantazh prej plot 15 pikësh për të fituar brenda në “Oracle Arena” ndaj kampionëve në fuqi të Golden State me shifrat e ngushta 122-121.
Në hije yjet e Warriors pasi Stephen Curry realizoi në total vetëm 22 pikë ndërsa Durant u mjaftua me 20 të tilla. Pikëshënuesi më i mirë për Golden State ishte Nick Young me 23 pikë, ndërsa në krahun tjetër ai që udhëhoqi Houston-in drejt kësaj fitoreje fantastike ishte i përhershmi James Harden autori i 27 pikëve. Paraqitje e mirë edhe ajo e Eric Gordon që i ndihmoi teksanët me 24 pikë ndërsa Chris Paul dha 11 asist.
Rezultoi shumë interesante edhe sfida që hapi sezonin e ri. Nënkampionët e Cleveland Cavaliers kaluan në “Ohio”, Boston Celtic skuadrën më të titulluar të NBA me rezultatin 102:99. Meritat e padiskutueshme në këtë fitore të Cleveland shkojnë të gjitha për mbretin “James”. Lebron zhvilloi një ndeshje fantastike, pasi ishte më i miri mbi parket për skuadrën e tij në cdo aspekt të lojës. 27 pikë, 16 rebound dhe 9 asist, ishin këto statistikat e Lebron James i cili la në hije ish shokun e skuadrës Kyrie Irving që tashmë luan për Boston Celtics.