Phoenix Suns i shkakton humbjen e dytë radhazi Los Angeles Clippers pasi arriti ta mposhte në Arizona me rezultatin 109-101.
Chris Paul fitoi bastin ndaj Paul George duke ndihmuar Phoenix për të mposhtur ish-skuadrën e tij. 28 pikë 3 rebound dhe 10 asiste të Chris Paul rezultuan vendimtare për Phoenix që u ndihmua edhe nga loja e mirë e yllit të skuadrës Davon Booker i cili koleksionoi në total 21 pikë 6 rikuperime poshtë tabelës dhe 3 asiste.
Paul George në krahun tjetër ndjeu mungesën e Kawhi Leonard dhe Serge Ibakas të dëmtuar dhe i vetëm pavarsisht se koleksionoi 25 pikë 10 rebound dhe 4 asiste nuk mundi të evitonte disfatën e Clippers.
Një fitore spektakolare mori Utah Jazz që la pas ecurinë prej 2 humbjesh radhazi me një triumf të thellë me rezultatin 154-105 brenda në Golden 1 Center përballë Sacramento Kings.
49 pikë diferencë në një sfidë të dominuar nga fillimi në fund nga Utah që iu fal edhe 24 pikëve të realizuara nga kroati Bojan Bogdanovic dhe 23 pikëve të tjera të Jordan Clarkson.
Kur mbeten dhe 10 ndeshje deri në fund të sezonit të rregullt, skuadra nga Salt Lake City kryeson konferencën e Perëndimit por ndiqet hap pas hapi nga Phoenix Suns.
Los Angeles Lakers pësuan humbjen e 4-t në 5 ndeshjet e fundit pasi u mposhtën në kryeqytet nga Washington Wizards me rezultatin 116-107 dhe tashmë rrezikojnë edhe vendin e 5-të në Perëndim. Bradley Beal fitoi duelin personal me Anthony Davis duke realizuar një pikë më shumë 27 kundrejt 26 të yllit të Lakers që vazhdojnë të ndjejnë mungesën e liderit të ekipit LeBron James.
Një fitore të ngushtë por shumë të rëndësishme regjistroi dhe Denver Nuggets që mposhti 114-112 New Orleans Pelicans duke regjistruar suksesin 7-të në 8 ndeshjet e fundit për meritë edhe të të përhershmit Nikola Jokic, me serbin që spikati me 32 pikë 7 rebound dhe 8 asiste.