Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) në bashkëpunim me Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas ka ndarë certifikatat e kualifikimit për rrobaqepësi për 35 gra dhe vajza.
Kursi katër mujor për rrobaqepësi është mbështetur me fonde të Ambasadës australiane me seli në Vjenë.
Drejtoresha ekzekutive e FIQ-it Dajana Berisha në ceremoninë e ndarjes së certifikatave tha se aftësimi i grave në profesione të ndryshme jo vetëm që mundëson krijimin e të ardhurave për gratë dhe vajzat që nuk kanë pasur mundësi arsimimi dhe punësimi, por ndihmon edhe në socializimin e tyre.
“Të mbijetuarat e luftës nuk kanë nevojë për lëmoshë, por që të përkrahen në aftësimin e tyre në një profesion të caktuar dhe të socializohen nëpërmjet shkëmbimit të përvojave, mendimeve dhe pavarësisë ekonomike”, tha ajo.
Berisha tha se FIQ do të vazhdojë të përkrah gratë dhe vajzat sidomos në zonat rurale.
Ndërsa, drejtoresha e QPDG-së Kadire Tahiraj tha se gratë dhe vajzat e komunës së Drenasit janë aftësuar për katër muaj për prerje, qepje dhe disajnim. Tahiraj ka kërkuar që të organizohen dhe kurse të tjera për krijimin e shkatësive të grave dhe vajzave në profesione që i kërkon tregu. “Janë 35 gra dhe vajza që kanë ndjekur kursin, por ka pasur edhe shumë kërkesa tjera që të përfshihen në kurs të rrobaqepësisë”, tha Tahiraj.
Në këtë ceremoni të ndarjes së certifikatave janë prezantuar dhe punimet e grave.