Është ndarë nga jeta njëri prej basketbollistëve të huaj më të suksesshëm në histori të Vëllaznimit të Gjakovës.
Boshnjaku Jakub Genjac ka ndërruar jetë të enjten në moshën 53-vjeçare. Këtë e kanë bërë të ditur mediat e Bosnjë-Hercegovinës.
Genjac ia ka kushtuar jetën basketbollit, ndërsa ka humbur betejën me një sëmundje të rëndë. Ai ka luajtur në pozitën e qendrës, ndërsa ishte dalluar te Vëllaznimi në edicionin 2003\04.
Ai vlerësohet edicioni më cilësor në histori të basketbollit kosovar, ndërsa Vëllaznimi ishte paraqitur me sukses. Palestra në Gjakovë ishte e stërmbushur në ndeshjet e Vëllaznimit si vendas.
Genjac ishte prej lojtarëve kryesorë të Vëllaznimit në atë edicion, ndërsa emra tjerë të njohur ishin Moris Haxhija, Ronnie Ross e disa të tjerë.
“Kemi luajtur së bashku në vitet 2003 e 2004. Ishte koha bindshëm më e mirë e basketbollit kosovar. Për fat të keq Jakub Genjac na ka lënë shumë herët. Ishte lojtar i shkëlqyeshëm e person edhe më i mirë. Ishte mentor për të gjithë ne. Është munduar shumë për lojtarët e rinj dhe të gjithëve u është vënë në shërbim. I shprehim ngushëllime familjes së tij dhe shokëve”, ka thënë Moris Haxhija për Koha.net.
Genjac ishte i lindur në Mostar, ndërsa ka bërë karrierë të madhe si basketbollist. Ka luajtur për skuadra të shumta në Bosnjë e Kroaci, por edhe në Kosovë, Iran e Slloveni. Në vitet e fundit ka punuar si trajner në Bosnjë-Hercegovinë.