Shkrimtari dhe poeti kombëtar, Dritëro Agolli, është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare.
Ai ka vdekur mesditën e sotme në sanatoriumin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ku ndodhej qe disa javë në gjendje të rëndë.
Agolli vuante prej kohësh nga një sëmundje në mushkëri, ndërsa nuk e kishte ndarë asnjëherë cigaren nga dora.
Agolli lindi në Menkulas të Devollit. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Studimet e larta për letërsi i mbaroi në Shën Petersburg.
Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.
Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.
Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje.