Ndahet nga jeta Sylejman Havolli, gjyqtari që i shërbeu futbollit në një prej periudhave më të vështira

Prishtinë | 22 Sht 2026 | 09:51 | Nga Ekonomia Online

Është ndarë nga jeta Sylejman Havolli, ish-futbollisti i Flamurtarit dhe njërit prej gjyqtarëve që i shërbeu futbollit të Kosovës në një prej periudhave më të vështira të historisë sportive.

Sylejman Havolli i përkiste gjeneratës së futbollistëve që la gjurmë te Flamurtari. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai e vazhdoi karrierën si gjyqtar i futbollit gjatë viteve ’90-ta, ku me përkushtim dhe profesionalizëm kreu detyrën e tij në garat e organizuara në kushte të vështira nën okupim.

Bashkë me shumë gjyqtarë të tjerë e punëtorë sportivë të asaj kohe, Havolli kontribuoi në mbajtjen gjallë të garave të futbollit në Kosovë, në një periudhë kur sporti ishte pjesë e rëndësishme e rezistencës institucionale dhe shoqërore ndaj regjimit serb.

Përkushtimi, guximi dhe korrektësia me të cilat e ushtroi detyrën e gjyqtarit e bëjnë Sylejman Havollin pjesë të një brezi të paharrueshëm të futbollit kosovar.

Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes Havolli, të afërmve, miqve, ish-bashkëlojtarëve, kolegëve të tij të atëhershëm dhe gjithë komunitetit sportiv.

“Kontributi i Sylejman Havollit, fillimisht si futbollist e më pas si gjyqtar, do të mbetet pjesë e kujtesës së futbollit të Kosovës dhe gjeneratës që punoi me vendosmëri për ta mbajtur gjallë sportin në vitet më të vështira. I përjetshëm qoftë kujtimi për Sylejman Havollin”, thuhet në telegramin e ngushëllimit.

Të ngjashme