Prokuroria i ka caktuar masën e ndalimit prej 48 orësh Fitim Thaqit, i dyshuar për sulmin e së premtes ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi.
Avokati i Thaqit, Gazmend Halilaj, ka thënë se nuk do të ankohen për vendimin pasi është vikend, por që shpreson se të hënën mbrojturi i tij do të dal para gjykatës dhe pret që në procedurë të rregull të lirohet.
Thaqi, në praninë e avokatit të tij, Gazmend Halilaj, është dorëzuar mbrëmë në Stacionin Nr. 2 të Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Halilaj i ka thënë portalit Koha.net se klienti i tij, me ta kuptuar që është duke u ndjekur nga Policia, është paraqitur vullnetarisht.
“Klienti im dhe Kajtazi nuk janë njohur më herët. Ai është dorëzuar në Polici, nuk është kapur. Unë po pres edhe nga Prokuroria që do ta lirojë. Ky vetë është dorëzuar ndërsa viktima ka marrë lëndime të lehta, për këtë arsye”, ka shtuar avokati Halilaj.
Ndërkaq Thaqi, në deklaratën e tij të shkurtë në praninë e avokatit, e ka pranuar ta ketë sulmuar gazetarin Kajtazi, mirëpo thotë të mos ketë qenë në dijeni se kush është personi të cilin e ka sulmuar.