Ndalimi i Tiktok-ut, Abazi: Mbyllja e kësaj platforme mund të ketë ndikim pozitiv te të miturit

Prishtinë | 26 Dhj 2024 | 09:07 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i sigurisë kibernetike, Tanzer Abazi mbylljen e përkohshme të rrjetit social Tik’Tok në Shqipëri e cilëson të dëmshme për bizneset dhe gjithashtu sipas tij mund të ndikojë në rikthimin e përdoruesve të varur nga kjo platformë pasi të hapet sërish.

“Mbyllja e TikTok-ut, si dhe e çdo platforme tjetër dixhitale, ka si avantazhe ashtu edhe disavantazhe. Besoj se Qeveria e Shqipërisë ka bërë një vlerësim të rrezikut dhe ka marrë këtë vendim bazuar në prioritetet e saj”, tha Abazi.

Ndërkaq përparësitë pozitive nga mbyllja e kësaj plaforme digjitale, sipas Abazit kjo do të ketë ndikim tek të miturit.

“Një mbyllje e TikTok-ut do të kishte ndikime të shumta, përfshirë ato ekonomike. Shumë biznese, sidomos ato me buxhete të kufizuara për marketing, varen nga TikTok për të arritur rezultate të mira me investime minimale. Nga ana tjetër, mbyllja e platformës mund të ketë një ndikim pozitiv tek të rinjtë, veçanërisht në grupmoshat e mitura, duke i larguar nga përdorimi i tepruar dhe duke nxitur aftësinë e tyre për të menduar më kritikisht”, tha ai.

Sa ka ndërmarrë masa ndaluese Kosova këtë vit për mbylljen e këtij rrjeti social?

“Institucionet e Kosovës kanë marrë këtë vit vendimin për ndalimin e TikTok-ut në rrjetet shtetërore dhe agjencitë e pavarura. Megjithatë, në nivel më të gjerë, nuk kam informacion të plotë për ndonjë nismë që synon mbylljen totale të kësaj platforme për qytetarët”, potencon Abazi..

A është e mjaftueshme mbyllja e Tiktok për një vit?

“Mbyllja e përkohshme mund të shkaktojë dëme të përkohshme për bizneset, por gjithashtu mund të rikthejë përdoruesit e varur pasi platforma të hapet sërish. Nëse synohet një ndikim më i qëndrueshëm, mbyllja duhet të jetë e përhershme dhe të shoqërohet me nisma për rritjen e ndërgjegjësimit për sigurinë dixhitale dhe përdorimin e përgjegjshëm të rrjeteve sociale”, bënë të ditur njohësi i sigurisë kibernetike.

“TikTok është një platformë kineze që përpunon një sasi të madhe të dhënash personale nga përdoruesit globalisht, çka ka ngritur shqetësime nga ekspertët për algoritmet dhe mënyrën se si përmbajtja shfaqet ndryshe nga një vend në tjetrin. Përshtypja ime personale është se, nëse nuk krijon përmbajtje të jashtëzakonshme ose të pazakontë, është e vështirë të bëhesh viral në TikTok. Për më tepër, përmbajtjet edukative ose motivuese janë shumë rrallë virale krahasuar me përmbajtje më sensacionale”, përfundoi Abazi. /21Media

Të ngjashme