Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar lidhur me rastin e ndodhur sot në fshatin Pagarushë të Komunës së Malishevës.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari me inicialet S.M. është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit.
“Personi i dyshuar me inicialet S.M., është ndaluar për 48 orë, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Prokuroria ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të kërkojë caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të paraqesë në gjykatën kompetente kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit”, njofton Prokuroria.
Tutje, autoritetet kanë theksuar se hetimet për rastin janë duke vazhduar në koordinim me Policinë e Kosovës.
“Prokurori i Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe duke mbledhur provat relevante lidhur me këtë rast”, thuhet në komunikatë.