Ndërhyn Gjermania, ofron propozim për Rusinë që t’i ulë tensionet

Prishtinë | 21 Jan 2022 | 13:34 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Ekonomisë dhe zëvnedëskancelari i Gjermanisë, Robert Habeck, dëshiron që ta angazhojë Rusinë në fushën ekonomike duke bashkëpunuar për furnizim me energji të ripërtëritshme që të ofrohet ndihmë për uljen e tensioneve rreth Ukrainës, sipas një interviste të tij për revistën gjermane, “Der Spiegel”.

“Ne gjithashtu duhet të mendojmë për fusha të reja të biznesit, që mund të ndihmojnë për t’i nxjerrë të dyja palët nga ky pozicion konfrontues”, tha ministri Habeck për revistën e njohur.

Sa i përket mundësisë që Rusia të përjashtohet nga sistemi ndërkombëtar i pagesave, Swift, ministri gjerman, i cili është pjesë e Partisë së Gjelbër, tha se nuk ka kuptim që “të numërohen sanksionet në mënyrë abstrakte”.

Megjithatë, ai shtoi se ky do të ishte “sanksioni i fundit ekonomik” dhe se qëllimi i tij është shtensionimi, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Express.

Ndryshe, kryediplomatët nga ShBA-ja dhe Rusia pritet të takohen të premten në Zvicër për të diskutuar rreth tensioneve të ngritura rreth Ukrainës pas një vargu takimesh mes zyrtarëve të të dyja palëve javën e kaluar, kur nuk pati ndonjë marrëveshje të rëndësishme.

Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, të enjten i bëri thirrje Rusisë që të heqë dorë nga eskalimi i situatës, duke paralajmëruar se Moska përballet me një varg sanksionesh, nëse vepron në mënyrë agresive.

Kryediplomatja gjermane tha të martën gjatë vizitës në Moskë se vendi i saj është i gatshëm që t’i mbrojë vlerat themelore në këtë përballje, edhe nëse një gjë e tillë do ta nënkuptonte pagimin e një çmimi të lartë ekonomik.

Të ngjashme