Organizatat e shoqërisë civile janë shprehur të shqetësuar me përpjekjet për ndërhyrje në procesin e vlerësimit të grantit të performancës komunale, i cili bashkëfinancohet nga fondet e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Qeverisë Zvicerane, Suedeze dhe Norvegjeze.
Tutje, organizatat e shoqërisë civile kërkojnë nga përfaqësuesit e komunave dhe akterët tjerë, të ndërpresin menjëherë çdo ndërhyrje në procesin e vlerësimit dhe menaxhimit të performancës, për t’i hapur rrugë finalizimit të këtij procesi në mënyrë profesionale dhe të pavarur.
Më poshtë deklarata e përbashkët e organizatave të shoqërisë civile lidhur me grantin e performancës komunale:
Organizatat e shoqërisë civile kanë ndjekur me shqetësim, përpjekjet për ndërhyrje në procesin e vlerësimit të grantit të performancës komunale, i cili bashkëfinancohet nga fondet e Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Qeverisë Zvicerane, Suedeze dhe Norvegjeze.
Granti i performancës komunale është e vetmja skemë qeveritare, e cila që nga viti 2017, ka ranguar komunat dhe ka ndarë fondet mbi baza meritore, duke evituar një praktikë të keqe të investimeve të Qeverisë mbi preferenca partiake.
Granti i pefromancës është vlerësuar si skema më kredibile edhe në kuadër të raportit të Komisionit Evorpian për Kosovën duke vlerësuar skemën e grantit, “si një skemë të pa-politizuar, të bazuar në transparencë dhe rregulla”. Prandaj organizatat e poshtëshënuara të shoqërisë civile vlerësojnë se përpjekjet e vazhdueshme të motivuara politikisht, për të interferuar në një proces kredibil të vlerësimit ku janë të përfshirë edhe vet akterët e shoqërisë civile në cilësinë e monitoruesve si dhe përfaqësuesit e organizatave donatore, është një përpjekje për të dëmtuar të vetmen skemë qeveritare, e cila ndër vite ka dëshmuar kredibilitet duke ndikuar në rritjen e performancës së shërbimeve komunale dhe respektimin e parimeve të qeverisjes në nivelin lokal të qeverisjes.
Kërkojmë nga përfaqësuesit e komunave dhe akterët tjerë, të ndërpresin menjëherë çdo ndërhyrje në procesin e vlerësimit dhe menaxhimit të performancës, për t’i hapur rrugë finalizimit të këtij procesi në mënyrë profesionale dhe të pavarur.
Nëse komunat apo palët tjera të interesuara kanë vërejtje në ndonjërin nga indikatorët e grantit të performancës, shqetësimet e tyre duhet t’i ngrisin tek MPL, mirëpo jashtë ciklit të vlerësimit në mënyrë që ndryshimet eventuale të bëhen me kohë dhe të gjitha komunat të jenë të informuara me kohë. Ne si organizata të shoqërisë civile, jemi të gatshme të japim kontributin tonë në avancimin e mëtutjeshëm të mënyrës së organizimit të grantit të performancës nëse paraqitet nevoja për një gjë të tillë.
➡️INPO
➡️D+
➡️BIRN
➡️Internews Kosova
➡️D4D
➡️KLGI
➡️Syri i Vizionit
➡️Lëvizja FOL
➡️POLIS
➡️Instituti GAP
➡️KDI
➡️Lipjan Youth Center
➡️GLPS
➡️Ec Ma Ndryshe
➡️KCSF