Ndërmarrësit kosovarë përfitojnë nga “Punëtoria për Edukim Financiar”

Prishtinë | 03 Dhj 2024 | 13:09 | Nga Hasan Hoti

U mbajt me sukses “Punëtoria për Edukimin Financiar për Ndërmarrësit”, një aktivitet kyç që synon të rrisë aftësitë financiare të ndërmarrësve kosovarë, veçanërisht të bizneseve të vogla dhe të mesme. Kjo ngjarje u organizua në kuadër të platformës “Biznesi Im”, me mbështetjen e projektit EnInGeP, në bashkëpunim me Raiffeisen Bank Kosovo dhe KIESA, raporton Ekonomia Online.

Punëtoria u hap nga Hamez Morina, nga projekti EnInGeP, i cili theksoi rëndësinë e zhvillimit të aftësive financiare në mesin e ndërmarrësve për rritjen e qëndrueshmërisë dhe zhvillimin ekonomik të bizneseve në Kosovë.

Ai vuri theksin te roli kyç që kjo punëtori luan në përmirësimin e aftësive të pjesëmarrësve, veçanërisht të bizneseve të udhëhequra nga gratë, duke ofruar njohuri praktike për menaxhimin financiar dhe qasjen në financim.

Punëtoria përfshiu një seri temash thelbësore për ndërmarrësit, duke u fokusuar në menaxhimin e suksesshëm të financave të një biznesi.

Prezantimi i parë u mbajt nga Mic Ukaj, i cili shpjegoi në detaje, mbi bilancin e gjendjes, pasqyrën e fitimit dhe humbjes, rrjedhën e parasë. Ai gjithashtu u fokusua në rëndësinë e buxhetimit dhe planifikimit financiar për të siguruar qëndrueshmërinë e biznesit dhe ndërgjegjësimin për obligimet tatimore.

Më pas, Besian Demiri nga Raiffeisen Bank Kosovo diskutoi mbi qasjen në financim të jashtëm, duke përfshirë përgatitjet e një biznesi për qasjen në kredi, si dhe menaxhimin e kredive, një element thelbësor për rritjen e qëndrueshmërisë së bizneseve të vogla dhe të mesme.

Për sigurimin e bizneseve, Astrit Veseli nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, prezantoi produktet e sigurimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të), duke theksuar mënyrën se si sigurimet mund të mbrojnë asetet dhe operacionet e bizneseve nga rreziqe të ndryshme.

Një nga temat më interesante u prezantua nga Sytrime Dervisholli, e cila trajtoi rëndësinë e Kritereve Mjedisore, Sociale dhe të Qeverisjes (ESG) dhe rolin e tyre në financimin e qëndrueshëm të bizneseve.

Ajo shpjegoi se si bizneset që ndjekin këto kritere kanë një mundësi më të mirë për të tërhequr financime dhe për të siguruar rritje të qëndrueshme afatgjatë.

Punëtoria u vlerësua shumë nga pjesëmarrësit, të cilët morën njohuri të vlefshme për të përmirësuar menaxhimin e financave të bizneseve të tyre dhe për të përfituar më mirë nga mundësitë e financimit.

Platforma “Biznesi Im”, në bashkëpunim me partnerët e saj, do të vazhdojë të ofrojë mundësi të tilla trajnimesh dhe aktivitetesh për të ndihmuar në rritjen e kapaciteteve të ndërmarrësve në Kosovë.

Projekti EnInGeP, i financuar nga Austrian Development Cooperation dhe i implementuar në bashkëpunim me CARE International dhe ECIKS, mbështet vazhdimisht iniciativat që synojnë rritjen e mundësive ekonomike për ndërmarrësit kosovarë.

Të ngjashme