Ndërmarrja Publike Banesore SH.A. Prishtinë ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet me padi për shpifje ndaj deklartave të asamblistit të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Egzon Azemit.
Reagimi i NPB-së, vjen pas konferencës për medie, ku Azemi kishte akuzuar Komunën e Prishtinës për manipulime rreth një projekti me vlerë 200 milionë euro.
“Asambleisti i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Egzon Azemi, përmes dy konferencave për shtyp ka dëmtuar reputacionin e Ndërmarrjes Publike Banesore. Përderisa jemi në gjendje të sqarojmë gjithçka mbi punët e NPB-së, nuk duam që Ndërmarrja të bëhet terren lufte i partive politike dhe interesave elektorale. Tendencës së këtij asambleisti për të kriminalizuar të arriturat më të mëdha të ndonjë ndërmarrje lokale në Kosovë, do t’i përgjigjemi deri në secilin detaj me padi dhe kallëzim penal sepse secili pretendim, madje secila fjalë që ka thënë është shpifje”, thuhet në reagimin e NPB-së.
Tutje, ata thonë se “Shpifja e parë lidhet me vlerën e projektit. Bëhet fjalë për 50% të vlerës së projektit që përfiton Ndërmarrja. Asambleisti në fjalë, për të tingëlluar i saktë e shpiku nga hiqi një vlerë 30% që gjoja e paska përmendur dikush nga aksionarët”.
“Shpifja e dytë që u përmend disa herë sot është një mungesë bazike për ta kuptuar procesin. Na u tha se subjekti fitues është regjistruar 1 ditë përpara shpalljes. Opinioni publik duhet ta dijë se bëhet fjalë për 3 kompani nën një konsorcium. Ato kanë dëshmuar se plotësojnë një sërë kriteresh rigoroze, të ndërtimit dhe financiare. Nevoja për t’u bashkuar nën një konsorcium është dëshmi për kritere dhe garanci të larta”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas komunikatës për medie, në vend të shpifjeve, edhe një herë thonë se po sjellin faktet e projektit.
“NPB aktualisht nga kjo pronë inkason 37 mijë Euro, pas realizimit të projektit ato rriten në 3.9 milionë Euro; Pasuria e Ndërmarrjes rritet nga 80 milionë sa është aktualisht, në 120 milionë; Të hyrat e qirasë nga 1.2 milionë në 5.16 milionë. Me fjalë të tjera, ky është momentumi më i mirë i NPB që prej themelimit të saj para gati më shumë se gjysmë shekulli. Edhe një herë, pas renovimit të 400 hyrjeve kolektive në qytet, dhe mijëra ndërhyrjeve në qytet në kuadër të shërbimit të ndërhyrjeve urgjente, NPB përmes këtij projekti është drejt futjes në funksionin e saj historik, ndërtimit. Roli ynë këtu e dimë se i pengon kompanitë e mëdha të ndërtimit. Ato po i përcaktojnë në mënyrë abuzive çmimet e banesave. Kujt i pengon kjo, llogaritë nuk i ka me qytetin”, thuhet në reagim.
Ndryshe, Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka akuzuar Ndërmarrjen Publike Banesore, që po manipulon projektin e ndërtimit në parcelën e kësaj ndërmarrje, vlera e të cilit është 200 milionë euro. Në një konferencë për media, kjo parti tha se NPB me jo transparencë këtë projekt i ka dhënë një kompanie e cila është regjistruar si biznes vetëm një ditë më herët para se të bëhej shpallja e interesit.
Shefi i asamblistëve të LVV-së në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemi, tha se NPB po vazhdon të jetë shënjestër e grupeve kriminale dhe e paligjshmërive.
Për këtë projekt, për të cilin tha se nuk janë dhënë detaje as në shprehje të interesit nga NPB, ka ftuar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë që ta hetojnë.