Nesër Kuvendi i Kosovës do ta shqyrtojë projektligjin për Trustin. I njëjti nuk qe votuar në muajin maj të vitit të kaluar, si për shkak të refuzimit të pushtetit ashte edhe hipokrites së disa deputetëve të opozitës.
Pas atij dështimi qytetarët e Kosovës u mobilizuan për t’i mbledhur nënshkrimet dhe për ta dërguar atë përsëri si nismë legjislative. Dhe kështu, brenda një kohë shumë të shkurtër u siguruan rreth 20 mijë nënshkrime.
Mirëpo, përsëri ekzekutivi ka paralajmëruar se nuk do ta mbështes një iniciativë të tillë, edhe përkundër faktit se ai tashmë është shprehje e drejtpërdrejt e vullnetit qytetarë. Argumentet e tij janë të njëjta. Se votimi pro ketij projektligji nuk e zbut krizën, përkundrazi e përkeqëson atë. Si dhe i dëmton interesat afatgjata të atyre që kanë kursime. Prandaj, është detyra e pushtetit që t’i mirëmbaj nën kontroll sjelljet e papërgjegjshme të atyre që i qeveris. Ti mbaj ata në kafazin e jetës kursimtare, përkundër shtytjeve të tyre për kënaqësi momentale.
Asgjë e re nga mentaliteti ideologjik. E tillë dinë të jetë kjo strukturë mentale. Ajo është e mbyllur brenda vetes dhe e shkëputur nga përvoja konkrete jetësore. Prandaj edhe në këtë rast nuk ka rëndësi zëri i popullit. Sepse më i vlefshëm se “vox pupuli vox dei” janë mendimet ekspertëve të këtij pushteti. Ngase këta të fundit janë perënditë e kohës sonë.
Albin Kurti mund edhe t’i detyroi deputetët e tij që të mos e përkrahin këtë projektligj. Ashtu siç kishte vepruar herën e parë. Ndonëse atëbotë ajo ishte një nismë e një deputeti të opozitës. Mirëpo, në këtë mënyrë ai dhe grupi i tij politik nuk po mbrojnë asnjë mendim të pavarur, neutral, shkencor dhe objektiv siç pretendojnë, por vetëm një dogmë ideologjike. E cila ishte inauguruar si mjet i pushtetit për të manipuluar vetëdijen njerëzore. Asgjë më shumë. Sepse nuk ka dhe nuk mund të ketë kurrë një mendim unik, shkencor dhe “tekno-kratik” për këtë çështje. Prandaj, përcaktimi për çështje të tilla, është më shumë pasojë e botëkuptimit doktrinar dhe bindjeve ideologjike të dikujt se sa e vërtetë universale.
Ashtu edhe sikur ka ndodhur në fillim kur është imponuar ky model i organizmit pensional. Kjo skemë nuk është e vetmja. Ka edhe forma tjera. Por, imponimi i saj dhe jo i ndonjë varianti tjetër, sikurse bie fjala i atij “gjenerata punon për gjeneratën” është bërë jo pse kjo është më e mira, dhe ka fundament më të qëndrueshëm shkencor, por sepse ajo ishte shprehje tipike e postulateve ideologjike neo-liberale. Kurse, nocioni i ekspertizës është përdorur vetëm si paravan për ta justifikuar këtë dhunim ideologjik. Në fund të fundit qëllimi i kësaj te fundit është që t’i bëjë njerëzit të mos shohin asnjë alternativë tjetër, pos asaj që ta servon në pjatë pushteti.
Dhe cili ishte besimi ideologjik i Albin Kurtit në këtë rast? Ai sipas të cilit qytetarët e Kosovës janë qenie iracionale. Nuk janë në gjendje të vendosin se çka është më mira e mundshme për ta.
Prandaj, edhe ata duhet privuar që të kenë qasje në një pjesë të kursimeve të tyre. Ku në vend se t’i përdorin ato në këtë krizë të gjithanshme sociale, politike dhe ekonomike, këto mjete duhet të përdoren nga fondet investive ndërkombëtare, në mënyrë që këto të fundit të fitojnë nga qarkullimi i këtyre mjeteve.
Dhe që kjo bindje ideologjike të duket valide në sytë e opinionit publik dhe jo shprehje e koniunkturave të pushtetit momental, kryeministri manipulon me mendimet e ekspertëve. Kuptohet kohë pas kohe nuk mungojnë as rekomandimet e FMN-së, një trup ky supra-nacional, të cilën sociologu i njohur Pierre Bourdieu, e quante një nga “agjentët e armatosur të neoliberalizmit”. E tëra kjo për ta paraqitur projektin e shkapërderdhjes sociale, si të vetmin të qëndrueshëm, sipas së cilës individët janë vetë përgjegjës për vetën dhe fatin e tyre, “shoqëria nuk ekziston” prandaj as që guxojnë ta rrezikojmë këtë variant, e cila në fund të fundit ua ofron qenieve njerëzore një pleqëri të atomizuar dhe pse jo një vdekje të vetmuar. Çfarë perspektive zymëtore? T’u ofrosh njerëzve vetëm një vdekje të vetmuar.
Paradoksi, është se me këtë model socio-politik dikur identifikohej “regjimi i vjetër”. Kurse me mënyrën se si Albin Kurti, po e justifikon qëndrimin e tij kundër lejimit të shfrytëzimit të një pjese të mjeteve pensionale nga një pjesë e shoqërisë, s’po dëshmon asgjë tjetër, pos që është shndërruar në apologjetin ideologjik më të zellshëm të tij.