Me datën 21 janar lidhet data e vdekjes së ish-Presidentit Rugova. Sot janë bërë 17 vjet që kur ai kaloi në amshim. Figura dhe roli i tij në historinë moderne të Kosovës vazhdon të ngjallë ende polemika, admirim, mospajtime dhe kritika në shoqërinë kosovare. Për disa është ende mit. E për të tjerë një vdekatar i rëndomtë. Për të tjerë profet. Kurse për shumë kënd tjetër një njeri i zakonshëm me virtytet dhe veset e tij. Mbase normale.
Madje s’është e rastësishme që romakët me anë të termit “Saecula”, mendonin se një gjykim retrospektiv i duhur për ngjarjet dhe personalitetet historike mund të bëhet vetëm pasi të kenë vdekur të gjithë ata që kishin qenë të lindur kur ishte zhvilluar ngjarja. Pra, për aq kohë sa jetonin protagonistët tjerë, që në një mënyrë apo tjetër, kishin qenë të involvuar në ngjarjet që kishin ndodhur për të gjallë të tyre, nuk mund të bëhet një vlerësim objektiv historik, sepse ai kushtëzohet nga pasionet, interesat dhe motivet ditore.
Siç dihet, dr Rugova hyri vrullshëm në jetën publike, kulturore dhe letrare të shqiptarëve të Kosovës. Ai u dallua, së bashku me kolegët e tij, që në fund të viteve ’80 të shekullit të kaluar me polemikat që artikuloi ndaj shkrimtarëve serbë, duke e kundërshtuar mendësinë e tyre nacionaliste. Gama e studimeve kritike që e prodhoi përgjatë viteve është e gjerë. Duke u bërë kështu autori autentik i “refuzimit estetik”. Kurse aktiviteti i tij politik filloi të shpërfaqet më shumë në një kohë të trandjeve të mëdha historike dhe politike. Pra një periudhë kur një botë po shembej dhe shkërmoqej nga kontradiktat e brendshme dhe presionet e shumëfishta politike dhe mungonte një rend tjetër.
Ai së bashku me protagonistë asaj kohe u dallua në formulimin gradual të kërkesave të Lëvizjes politike për pavarësi të Kosovës. Me këtë nuk do të thotë se ai ishte kundër bashkimit kombëtar. Madje zgjidhje të drejtë historike për çështjen shqiptare e konsideronte këtë solucion. Kurse kërkesën për pavarësi e vlerësoi si shprehje të vullnetit për kompromis nga ana e shqiptareve të Kosovës për hir të konturave gjeopolitike. (Por për këtë temë në një shkrim të radhës).
Me anë të kësaj strategjie ai mëtonte që synimet politike të shqiptareve të Kosovës të artikuloheshin në pajtim me “frymën e kohës”. Se ato nuk guxonin të binin në kundërshtim me parimet universale të Rendit të Ri Botëror, që u inaugurua pas shembjes së Murit të Berlinit, nga ish-presidenti SHBA-ve, George H. W. Bush, apo i njohur te ne si Bushi plak. Pra që këto kërkesa të mund të kishin sukses ato duhet të shtroheshin sipas fjalorit të demokracive perëndimore duke i afirmuar vlerat e pluralizmit, liberalizmit, të drejtave të njeriut etj etj. Sepse vetëm nga ky përcaktim i qartë dhe pa ekuivoke, SHBA-të dhe aleatët e saj fitimtarë të Luftës së Ftohtë, do ta mirëkuptonin dhe pranonin gradualisht vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur. Dhe në këtë mënyrë të dëshmohej rreshtimi ynë në anën e drejtë të historisë si dhe të diskreditohej politika serbe për shkak të përqafimit të anës së gabuar të saj. Çdo shkarje nga ky parim mund ta palestinezonte dhe kurdistanizonte çështjen e Kosovës. Sepse shtrimi i kërkesave tona nacionale me një vokabular që ishte shprehje e reminishencave të marksizmit do të ishte me pasoja fatale për të ardhmen tonë.
Në këtë drejtim ekziston një konsensus i përgjithshëm për këtë qartësi të tij konceptuale historike. Dilemat shtohen se a u angazhua ai mjaftueshëm për ta jetësuar këtë projekt. A mos Dr Rugova u shndërrua më shumë në një lider që formalisht i formuloi kërkesat e duhura për popullin e tij, por pas këtij akti u tërhoq në kullën e tij të fildishtë, në lirinë mendimit poetik dhe romantik si dhe e la popullin që ta gjejë vetë rrugën e zbatimit politik të tyre? A mbeti ai prangosur brenda atij niveli të vetëdijes që Hegeli e definon si “pastërtia e shpirit”( beauty of soul). Në veprën “Fenomenologjia e Frymës” mendimtari gjerman pohon se këtë frymë e karakterizon tërheqja nga bota dhe strukja në idealet sublime të shpirtit. Një formë e vetëdijes kjo që e zhvesh misionin nga aksioni. Formën nga përmbajtja. Dhe jeton në kontradikta ndërmjet qenies dhe mendimit, lirisë dhe varësisë. Në këtë mënyrë edhe republika, shteti, marrin vetëm karakter subjektiv, ideal, por iu mungon aktualiteti. Ato nuk gjejnë zbatim në jetën reale.
Kurse falë kësaj dihotomie koekzistojnë dy botëra paralele. Njëra që qenëson vetëm brenda mendimit ideal dhe shpirtit kurse tjetrën që e karakterizojnë raportet objektive që janë të kundërta me të parën. Zhytja vetëm brenda botës së parë, e privon njeriun nga aksioni për ta aktualizuar konkretisht atë.
Kjo kundërthënie vazhdon të ngjallë ende shumë diskutime dhe polemika historike dhe politike. Sepse në fund të fundit ngjarjet dhe ndryshimet kryesore politike dhe historike të rezistencës sonë për liri, që filluan me protestat e studentëve per lirimin e objekteve shkollore dhe hovëzuan me luftën e UÇK-së si maja kulmore e kësaj tendence, nuk e mbartin vulën e drejtimit të tij. Ai u shndërrua në vëzhgues pasiv të detit të trazuar të historisë në momentet vendimtare të saj. Duke pritur që të tjerët ta bëjnë atë qe e kishte ideal.