Sot, në 41-vjetorin e rënies në ballë të demonstratave të vitit 1981, të dëshmorëve Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, bashkëveprimtarë të tyre, figura të njohura të çështjes kombëtare, familjarë dhe qytetarë të tjerë, bënë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së tyre, te vendi i rënies në Prishtinë.
Për rëndësinë e demonstratave të vitit 1981, sakrificën e dëshmorëve Naser Hajrizi e Asllan Pireva, dhe të të gjithë dëshmorëve të ’81-es, foli veprimtari Selatin Novosella, njëherësh përfaqësues i Shoqatës së të Burgosurve Politikë.
Më pas, të pranishmit bënë nderime dhe vendosën lule pranë pllakës përkujtimore.
Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva ishin militantë të organizuar të Lëvizjes çlirimtare të kohës.
Më 2 prill 1981 ata ishin organizatorët e demonstratave të shkollarëve të Elektroteknikës. Dyert e shkollës atë ditë ishin mbyllur, por nxënësit dolën nga dritaret. Në përleshje me kordonin policor, Naseri plagoset por masa demonstruese marshon drejt qytetit (Shkolla ndodhej afër parkut Gërmia, në periferi të Prishtinës). Në një familje lidh plagën dhe pasi i zë kolegët, vihet në ballë të demonstratës në qendër të qytetit. Pas ndërhyrjes së forcave serbe, demonstruesit ndahen në grupe, njëri prej të cilëve ishte në sheshin midis Bankës Popullore (sot ndërtesa e qeverisë) Shtëpisë së Mallrave dhe Postës, të cilit i prinin Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva.
Dy të rinjtë, rreth orës nëntë, para dite, vriten nga oficerë ushtarakë, të vendosur në objektin e Bankës.
Në vendin e rënies, sot qëndron një pllakë modeste në përkujtim të tyre dhe dy drurë që simbolizojnë dy heronjtë e rënë në ballë të demonstratës.