Në 43-vjetorin e rënies janë përkujtuar sot në Prishtinë dëshmorët e 2 prillit të vitit 1981 në Prishtinë, Naser Hajrizi e Asllan Pireva.
Pranë pllakës përkujtimore, në vendin e rënies, pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, bashkëveprimtarë të dëshmorëve, pjesëmarrës të demonstratave të ’81-es, drejtues të lëvizjes klandestine të Kosovës, familjarë e qytetarë të tjerë, bënë homazhe dhe vendosën lule në shenjë kujtimi i nderimi për të rënët.
Në emër të Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës, kryetari Shefik Sadiku vlerësoi lart veprën kombëtare të dëshmorëve Naser Hajrizi e Asllan Pireva, të rënë në ballë të demonstratës gjithëpopullore.
Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva ishin militantë të organizuar të Lëvizjes çlirimtare të kohës dhe organizatorë të të rinjve në demonstratën e mëngjesit të 2 prillit në qendër të Prishtinës.
Ata u vranë nga të shtënat e oficerëve ushtarakë, të vendosur gjatë natës në objektin e Bankës Popullore (sot ndërtesa e qeverisë).
Po sot në mjediset e Institutit Albanologjik të Prishtinës me një akademi u shënua 50-vjetori i botimit të gazetës “Zëri i Kosovës”, organ i organizatës çlirimtare “Grupi Revolucionar i Kosovës”.