Për shkak të tarifave të reja ndëshkuese, Kina, sipas raportimeve në media, i ka ngrirë bisedimet tregtare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas The Wall Street Journal, vizita e Liu He, zëvendëskryeministrit kinez e planifikuar për javën e ardhshme në Uashington është anuluar nga Pekini dhe dërgimi i një delegacioni të nivelit të mesëm që duhej të vinte para Liu është anuluar.
Nga qarqet qeveritare amerikane thuhet se nuk ka asnjë datë të përcaktuar për bisedime të reja. Por ShBA-ja shprehet optimiste se do të gjejnë një rrugë për të zgjidhur konfliktin tregtar me Kinën.
Negociatat në Uashington të zhvilluara në mes të gushtit nuk sollën asnjë afrim. Trump ndërkohë kërcënoi sërish, se do të vendosë dogana të reja kundër Kinës.
Në fillim të kësaj jave presidenti amerikan, Donald Trump, ka dhënë sinjalin për një raund të ri doganash ndëshkuese ndaj Kinës. Këtë herë bëhet fjalë për mallra në vlerë prej 200 miliardë dollarësh.
Qeveria kineze reagoi menjëherë dhe paralajmëroi dogana të posaçme ndaj produkteve amerikane në vlerë prej 60 miliardë dollarësh. Që nga fillimi i korrikut të dy ekonomitë më të mëdha popullore të botës, kanë vendosur reciprokisht dogana ndëshkuese në vlerë prej 100 miliardë dollarësh.
SHBA akuzon Kinën për izolimin e tregut të saj, subvencione të padrejta të ekonomisë së saj dhe vjedhje të teknologjisë. Kina i hedh poshtë këto akuza. Mes investitorëve dhe koncerneve po rritet shqetësimi, se konflikti mund të zgjerohet me pasoja të rënda për ekonominë botërore.