Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të të dyshuarit Dardan Krivaqa, është ndërprerë seanca për caktimin e masës së paraburgimit.
I njëjti ende nuk është shoqëruar për në emergjencë, por nga ekipet mjekësore është duke marrë ndihmën e parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndërsa, Prokuroria Themelore e Ferizajt ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore të Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimitndaj tij.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri D.K., më 22 Gusht 2021, ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj tashmë të ndjerës M.O., me çka në bashkëkryerje kryen veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 dhe 1.8 me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Dardan Krivaqa është arrestuar dje si i dyshuari kryesor i vrasjes së 18-vjecares, M.O.
I arrestuar si i dyshuar për këtë rast është edhe Arbër Sejdiu që është arrestuar dy ditë më parë.
Ndryshe, 18 vjeçaria ishte dërguar pa shenja jete në Qendrën Emergjente në Ferizaj pasditen e së dielës.
Viktima ishte dërguar aty nga Krivaqa dhe Sejdiu, të cilët më pastaj kishin ikur nga vendi i ngjarjes.