Ndërron jetë aktori amerikan Peter Greene, ylli i “The Mask” dhe “Pulp Fiction”

Prishtinë | 13 Dhj 2025 | 19:55 | Nga Ekonomia Online

Aktori amerikan Peter Greene, i njohur për rolet e tij ikonike në filmat kult “The Mask” dhe “Pulp Fiction”, është gjetur i vdekur dje në apartamentin e tij në zonën Lower East Side të Nju Jorkut. Ai ishte 60 vjeç.

Sipas policisë së New York-ut, autoritetet mbërritën në adresë rreth orës 15:25, ku e gjetën aktorin pa shenja jete. Greene u shpall i vdekur në vend, ndërsa hetimet paraprake nuk sugjerojnë për një vdekje të dhunshme. Shkaku i saktë i vdekjes pritet të konfirmohet pas përfundimit të autopsisë.

Lajmi u konfirmua nga menaxheri i tij prej shumë vitesh, Gregg Edwards, i cili kishte bashkëpunuar me Greene për më shumë se një dekadë. Ai e përshkroi aktorin si një njeri dhe artist të jashtëzakonshëm, duke theksuar se pas roleve të errëta dhe shpesh brutale që interpretonte në ekran, fshihej një person me zemër të madhe.

“Do të na mungojë jashtëzakonisht shumë, si mik dhe si artist,” tha Edwards, duke shtuar se kishte folur me Greene në fillim të javës dhe se nuk kishte vërejtur asnjë shenjë që do të paralajmëronte një tragjedi të tillë.

Sipas mediave amerikane, fqinjët kishin raportuar se nga apartamenti i aktorit dëgjohej muzikë për më shumë se 24 orë, çka çoi në njoftimin e autoriteteve dhe kontrollin e gjendjes së tij.

Pavarësisht problemeve personale që e kishin shoqëruar në periudha të ndryshme të jetës, Peter Greene ishte aktiv profesionalisht dhe i angazhuar në projekte të reja. Në janar, ai pritej të niste xhirimet e trillerit të pavarur “Mascots”, ku do të luante përkrah Mickey Rourke. Po ashtu, ai ishte pjesë e kastit të filmit “State of Confusion”, një dramë krimi e planifikuar të xhirohej në vjeshtën e vitit 2026 në New Jersey dhe New York.

Greene u bë veçanërisht i njohur për interpretimin e gangsterit Dorian Tyrell në filmin “The Mask”, përballë Jim Carrey dhe Cameron Diaz, si dhe për rolin e paharrueshëm të Zed, rojes brutal të sigurisë në “Pulp Fiction” të Quentin Tarantino-s (1994).

I lindur në Montclair, New Jersey, Greene pati një rini të vështirë. Si adoleshent, ai u largua nga shtëpia dhe jetoi për një kohë në rrugët e New York-ut, përpara se të fliste më vonë hapur për betejat e tij me varësinë dhe periudhat e errëta të jetës. Ai nisi aktrimin relativisht vonë, në mesin e të njëzetave, por gjatë viteve 1990 arriti të ndërtojë një karrierë të spikatur.

Në një karrierë që zgjati mbi tre dekada, Peter Greene realizoi rreth 95 role në film dhe televizion, duke përfshirë tituj të njohur si “The Usual Suspects”, “Blue Streak”, “Training Day”, “Clean”, “Shaven” dhe shumë të tjerë.

Vdekja e tij shënon humbjen e një aktori karakteri të veçantë, i cili la gjurmë të forta në kinemanë amerikane të viteve ’90 dhe më pas./KultPlus.com

Të ngjashme