Ndërron jetë piktori dhe poeti Remzi Limani

Prishtinë | 15 Mar 2024 | 15:14 | Nga Ekonomia Online

“Me dhimbje të thellë ju njoftojmë se sot ndërroi jetë më i dashuri ynë, babi Remzi Limani. Babi, ke qenë forcë dhe mbështetje për ne gjatë gjithë jetës. Ne vazhdojmë të fortë të ruajmë kujtimin për ty! Varrimi bëhet sot me 15.03.2024 me ikindi nga ora 15:00, në varrezat e lagjes “Arbëria”, ka shkruar djali i të ndjerit, Urani.

Remzi Limani ka lindur në vitin 1955 në Shalë të Drenicës. Pas fillores në Prishtinë, mbaroi Shkollën e Artit në Pejë, pastaj diplomoi në Fakultetin e Arteve, Dega e Dizajnit, në Universitetin e Prishtinës.

Në krijimet artistike, kryefjalë i ka pasur artet e bukura me intensitet të ndryshëm përmes shprehjeve artistike në fushën e dizajnit, pikturës, poezisë, prozës, eseve, aforizmave, por edhe përmes kuptimeve për artet pamore dhe muzikës artistike.

Ka realizuar dymbëdhjetë ekspozita personale, nga të cilat dy në Itali dhe një me karakter humanitar në Namibi.

Ndërsa nga fusha e letërsisë ka botuar 13 vepra, prej tyre dy romane. Libri me poezi “Tinguj të humbur” (Sonete Pierdute) i është përkthyer në gjuhën rumune. Po ashtu, poezitë e tij janë përkthyer dhe përfshirë edhe në antologjinë poetike “Pagjumësia e fjalëve” (Insomnia cuvintelor), botuar në gjuhën rumune.

Një kohë të gjatë ka punuar në Pallatin e Rinisë, Kulturës dhe Sporteve në Prishtinë në cilësinë e udhëheqësit të kulturës.


Të ngjashme