Në mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë profesori i Historisë islame, hoxhë Bajrush Ahmeti.
Lajmin e ka konfirmuar djali tij, Ismail Ahmeti përmes një statusi në rrjetin social Facebook.
“Të Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi. Ju njoftojme se sot më 01.01.2021 ka vdeke baba jonë Hoxha Bajrush Ef. Ahmeti nga COVID-19! Për shkak të situatës pandemike varrimi do të bëhet vetëm nga rrethi i ngusht familjar sot në ora 14:00. Kërkojmë mirëkuptim nga të gjithë se të pame nuk do të ketë”, ka shkruar Ahmeti.
Ndërkaq, hoxha Bajrush Ahmeti lindi më 12.06.1940 në Orllan të Podujevës, ndërsa shkollën fillore e filloi në fshat dhe e përfundoi në Prishtinë. Të mesmen e kreu Medresenë e Mesme “Alauddin” në Prishtinë në vitin 1967. Në vitin 1968 filloi studimet në Universitetin e Bagdadit, ku edhe diplomoi në degën e Jurisprudencës Islame në vitin 1972. Në vitin 1972 filloi mësimdhënien në Medresenë e Mesme “Alauddin”, ku kontriboi deri në pension, në vitin 2005.
Hoxha pas vetes la një thesar librash, prej tyre: Historia islame 1, Historia islame 2, Historia islame 3, Historia islame 4, Njëqind e një hadithe, përkthim e komentim, Vështrim kulturoro-historik mbi formimin dhe përhapjen e disa fraksioneve në historine islame, Perandoria osmane dhe përhapja e Islamit në trojet shqiptare dhe në viset fqinje, Kadijanitë (Ahmeditë) dhe shumë artikuj nëpër revista shkencore, kryesisht të historise islame. /Telegrafi