Dizajneri i famshëm francez, Pierre Cardin, raportohet se ka ndërruar jetë në moshën 98 vjeçare.
Familja e tij deklaroi se ai vdiq në një spital në Neuilly, në perëndim të Parisit.
‘Projektuesi francez i modës Pierre Cardin vdiq në një spital në Neuilly, në perëndim të Parisit, të martën në moshën 98 vjeçe’, i tha familja e tij agjencisë së lajmeve AFP.
“Ishte një ditë e trishtë për gjithë familjen tonë. Pierre Cardin nuk është më me ne”, thuhet në deklaratën e tyre.
Por, kush ishte Pierre Cardin?
Ai ka lindur në vitin 1922 afër Venecias në Italinë Veriore, familja e tij emigroi në Francë kur ai ishte i vogël.
U rrit në qytetin industrial francez të Saint Etienne. Në moshën 17 vjeç u bë një nxënës i një rrobaqepësi në Vichy dhe tashmë ishte i specializuar në kostumet e grave.
Më pas u transferua në Paris, ku projektoi setet dhe kostumet magjepsëse për filmin “Beauty and the Beast”.
Pas një pune me Christian Dior, Cardin themeloi shtëpinë e tij të modës në 1950. Në dekadat në vijim ai ndërtoi edhe një perandori globale të biznesit.