Në Bjeshkët e kabashit që mbrohen me ligj disa persona nga Korisha e Prizrenit kanë ndërtuar vila pa leje.
Në Parkun Nacional Bjeshkët e Kabashit,në një vend ku mund të shkohet vetëm me makina terreni,KALLXO.com zbuloi ndërtimin e vilave pa leje.
Në këtë zonë e cila është nën mbrojtjen shtetërore disa banorë të fshatit Korishë kanë filluar ndërtimin shtëpive-vila dhe kanë arritur që të përfundojnë ato,përkundër intervenimit të zyrtarëve të inspektoratit.
Ndërtimet ilegale i bënë të ditura disa banorë tjerë të Korishës,të shqetësuar për dëmtimin e parkut.
“Jena 5 veta të gjitha lagjeve, unë jam i mahallës Guri,të cilët kemi shprehur shqetësimin tonë për dëmtimin e pronave publike në Bjeshkët e Kabashit, ose në parkun nacional. Personat që e kanë ba këtë uzurpim janë disa fshatarë tanë të cilët i kemi lajmëruar në organet përkatëse të komunës së Prizrenit,” tha Shaip Dakaj, njëri nga denoncuesit e ndërtimeve pa leje.
Në emër të banorëve të fshatit Korishë të shqetësuar nga ndërtimet pa leje në Bjeshkët e Kabashit, avokati Esat Gutaj ka ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.
“Këtu sipas vlerësimeve të mia si avokat ka disa vepra penale, e para është uzurpimi i pronës së paluajtshme, e dyta është degradimi i mjedisit, e treta është vepra penale shkretimi i pyjeve dhe punimet pa kritere, kjo është sipas vlerësimit tim, por prokuroria do të bëjë vlerësimin në mënyrë më profesionale, por për katër vepra penale janë,” shpjegoi për KALLXO.com avokati Gutaj.
Zyrtari për informim i Komunës së Prizrenit Ymer Berisha deklaroi se inspektorët komunalë kanë dalë në terren.
“Drejtoria e Inspekcionit me inspektorët e vet ka dalë në terren, ka biseduar me qytetarët, janë në pretendim e sipër për të ndërhyrë në këtë zonë, kanë marrë vërejtjet e para. Kërkesa e komunës është që ata nuk kanë të drejtë të ndërtojnë në këtë zonë dhe normalisht bashkë me sistemin prokurorial të komunës së Prizrenit, kemi me bë më të mirën për këtë zonë,” tha Berisha.
Edhe zyrtarë të Drejtorisë së Parkut Nacional për Regjionin e Prizrenit, një institucion nën menaxhimin e Ministrisë së Mjedisit kanë dalë në vendin e ndërtimeve pa leje.
Drejtori i kësaj drejtorie Hazer Dana tha se janë vendosur shiritat e ndalimit të punimeve në Bjeshkët e Kabashit, por ata janë hequr nga ndërtuesit ilegalë.
“Ata prapë kanë filluar me ndërtu, e kemi njoftuar inspektoratin. inspektorati ka shkuar në inspektimin e dytë ka konstatuat heqjen e shiritave dhe vazhdimin e ndërtimeve,” tha Dana.
Hazer Dana tregoi se ndërtuesve ilegalë u është kërkuar të rrënojnë vilat e ndërtuara.
“Nga këto që ka konstatuar inspektorati, ka marrë vendimin për rrënimin e këtyre objekteve dhe presim që pala të bëjë rrënimin sipas vendimit të inspektoratit. Këtë ta bëjë vetë pala, nëse pala nuk e bën vetë, inspektorati i Ministrisë së Mjedisit është i obliguar që të shkojë të bëjë vetë rrënimin, ndërsa shpenzimet i bart vetë pala që e ka bërë ndërtimin,” tha Dana.
Banorët e fshatit Korishë thonë se janë të shqetësuar për degradimin e kësaj zone dhe presin nga organet shtetërore që të ndërmarrin masa për t’i mbrojtur bjeshkët në të cilat vazhdojnë t’i dërgojnë bagëtitë për kullosa.
“Porosia jonë, u lutem organeve kompetente më të larta të Republikës së Kosovës që e quajmë shtet të marrin masa sa më shpejt, sa më të ashpra, që të ndalin degradimet e bjeshkëve të Kabashit dhe të parkut nacional,” apeloi Shaip Dakaj.