Ndërtimi i shkollës së re “7 Shtatori”, në lagjen me të njëjtin emër në Pejë, nuk do të nisë as vitin tjetër. Për ndërtimin e kësaj shkolle komuna nuk ka planifikuar as buxhet për vitin e ardhshëm, megjithëse Komuna kishte premtuar që do të niste ndërtimi i kësaj shkolle në vitin 2020.
Arsyeja pse kjo shkollë mbetet jashtë planifikimit buxhetor për vitin 2020, sipas drejtorit të Financave, Jeton Abazaj, ka të bëjë me pronën shoqërore ku është planifikuar të ndërtohet ky objekt arsimor, i shumëpritur prej tri lagjeve të Pejës, shkruan sot Koha Ditore.
Toka ku do të ndërtohet shkolla është ende nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
“Për vitin e ardhshëm nuk do të nisë ndërtimi i kësaj shkolle e as që do të ndahet ndonjë mjet financiar, përderisa nuk bartet prona në emër të komunës. Se nëse nisim ndërtimin e shkollës në një tokë që ende nuk është bartur në emër të komunës, pastaj në çfarëdo rrethanash mundet dikush ligjërisht të shkaktojë ndonjë telash, kështu që duam një herë ta kryejmë komplet bartjen e pronave e pastaj të nisim ndërtimin e shkollës”, tregon Abazaj arsyen pse kjo shkollë nuk do të gjendet në listën e projekteve për vitin e ardhshëm.