Për komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi, UÇK ka përfunduar misionin me sukses në vitin 1999.
Ai ka thënë se vetëm falë organizimit vendor politik dhe ushtarak të UÇK-së, sot gëzojmë lirinë.
“Tjerat vijnë pas si mbështetje e kohës… Askush s’do të duhej të përdorte shkronjat UÇK-UÇK, apo kohën e lavdisë. Thurja e lëvdatave, apo hetimet mbi atë se çfarë ka ndodhur para 18 vitesh, nuk mundet të ndikojë në kualitetin e jetës së qytetarëve tanë”, ka shkruar Remi në Facebook.
“Vazhdimisht sfidohemi nga krimet ekonomike, korrupsioni, nepotizmi dhe mafiat përtej kufijve kombëtar…”, ka shtuar ai.
Sipas Remit, hapja e rrugës për ndërtim të shtetit të së drejtës, duhet t’i eliminojë grupet vendore apo edhe ato ndërkombëtare të natyrës kriminale.
“Ne duhet të ndërtojmë shtetin e suksesit duke mos justifikuar mospunën dhe dështimet tona me kohët e vjetra si ajo e okupimit, organizimit të luftës apo edhe lëvizjeve politike klandestine. Ecja e drejtë shtetit të suksesshëm, mund të bëhet”, ka shkruar Remi.