Sulmuesi belg, Romelu Lukaku, ka shënuar në debutimin e tij me Interin, ndërsa skuadra milaneze e drejtuar nga trajneri i ri Antonio Conte ka nisur furishëm, duke mposhtur 4:0 Leccen të hënën mbrëma.
“Kishte shkëndiza, por tash duhet të bëhemi dinamit”, ka thënë Conte, ndërsa po tenton të ndal kampionin e tetë stinorëve të fundit, Juventusin.
Lukaku, që është transferuar në verë nga Manchester Unitedi për 65 milionë euro, shënoi golin e tretë të Interit në minutën e 60-të, në ndeshjen që u zhvillua në “San Siro”.
Ai shfrytëzoi një gabim të portierit të Lecces, Gabriel i cili nuk kontrolloi mirë një gjuajtje të Lautaro Martinezit. Lukaku 26-vjeçar më pas u kthye te tifozët e Interit për t’u përkulur para tyre. Rreth 65 mijë shikues ishin prezent në stadium.
“Lukaku është futur në botën e Interit në mënyrën më të mirë, me modesti të madhe. Ai është një gjigant miqësor, një gjigant me buzëqeshje. Ai është i gatshëm të punojë për skuadrën. Por jo vetëm Romelu, Lautaro po ashtu ka luajtur shumë mirë”, ka thënë Conte.
Kroati Marcelo Brozoviq hapi serinë e golave në minutën e 21-të, më pas transferi i ri Stefano Sensi, lojtari i huazuar nga Sassuolo, shënoi golin e dytë.