Ka pak gjasë që ndeshja në mes të Malit të Zi dhe Kosovës të jetë një ndeshje e zakonshme e kualifikimeve për “Euro 2020” në futboll. Në fakt sfida, edhe një muaj para se të zhvillohet, ka nisur të ngjallë reagime, ndërsa ajo pritet të luhet në stadium të zbrazët.
UEFA e ka dënuar Malin e Zi që ndeshjen ndaj Kosovës ta luajë pa shikues, për shkak të racizmit të shfaqur nga tifozët malazezë në ndeshjen ndaj Anglisë. Mali i Zi ka paralajmëruar ankesë, por ka pak gjasa që vendimi të ndërrojë. Mali i Zi e pret Kosovën më 7 qershor në stadiumin e qytetit në Podgoricë, në kuadër të grupit A të kualifikimeve për Evropianin e vitit të ardhshëm, shkruan sot Koha Ditore.
Mali i Zi udhëhiqet nga trajneri i njohur serb, Lubisha Tumbakoviq. Janë të paktën pesë lojtarë të Malit të Zi që bëjnë karrierë në klubet serbe. Njëri prej tyre jo shumë kohë më parë është akuzuar në Mal të Zi se ka përkrahur klubin serb Cërvena Zvezda në përballje me Buduqnostin e Podgoricës, në kuadër të finales së Ligës ABA në basketboll. Besohet se në përfaqësuese të Malit të Zi ka lojtarë që përkrahin politikën e Serbisë në raport me Kosovën, ndërsa sfida është pritur të jetë e rrezikshmërisë së lartë për shkak se në Podgoricë dhe Mal të Zi jetojnë numër i konsiderueshëm i njerëzve që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës.