Përmes faqes zyrtare FFK-ja ka konfirmuar se s’ka bileta në dispozicion për tifozët që nuk janë pjesë e tifogrupit “Dardanët” për ndeshjen Çeki – Kosovë.
Ajo bën thirrje që të mos rezervohen hotele në Çeki pasi ka pak bileta për këtë sfidë.
“Duke kuptuar interesimin e jashtëzakonshëm të publikut dhe tifozëve për ta mbështetur Kombëtaren e Kosovës në sfidën më të rëndësishme deri tani, atë kundër Republikës Çeke, Federata e Futbollit e Kosovës me keqardhje të thellë është e detyruar t’u bëjë thirrje tifozëve që të mos bëjnë rezervime për fluturime dhe hotele, për shkak të numrit jashtëzakonisht të vogël të biletave që FFK-ja ka në dispozicion për këtë ndeshje”, thuhet në faqen zyrtare të FFK-së.
Kujtojmë se për tifozët mysafir për ndeshjen e 14 nëntorit ndaj Çekisë në Plzen janë ndarë 627 bileta.
“Në bazë të nevojave, biletat që janë në dispozicionin tonë, do t’u akordohen grupimit të tifozëve “Dardanët”, kurse pastaj në bazë të obligimeve kontraktuale që ka, FFK-ja do të ndajë bileta për sponsorët, bashkëpunëtorët, institucionet si dhe në fund familjarët e futbollistëve”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Tutje FFK-ja shton se, “ne e çmojmë jashtëzakonisht shumë përkrahjen e parezervë që marrim nga publiku në rrugëtimin drejtë ëndrrës për kualifikim dhe u jemi shumë mirënjohës të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mërgimtarëve që janë në gjendje të bëjnë shpenzime të pabesueshme vetëm për të qenë krah futbollistëve në këtë ndeshje, por në situatën në të cilën jemi, e kemi të pamundur të sigurojmë bileta për takimin që zhvillohet në Plzen”.
Stadiumi ku zhvillohet ndeshja ka kapacitet të ultë dhe përkundër insistimit të FFK-së, Federata Çeke e Futbollit ka refuzuar të ndajë numër pak më të madh biletash për sektorin e shikuesve mysafirë.