Hetuesit francezë po dyshojnë se ndeshja ndërmjet Paris Saint-Germainit dhe Cërvena Zvezdës, që u zhvillua më 3 tetor në kuadër të Ligës së Kampionëve, ishte e kurdisur.
Ndeshja që përfundoi me fitoren e thellë, 6:1, të PSG-së, po hetohet dhe këtë e kanë konfirmuar burime të gazetës “L’Equipe” të premten.
Dyshimet janë se një zyrtar i lartë i klubit nga Serbia ka përfituar shumë të mëdha të hollash nga bastvënia që ndeshja mes PSG-së dhe Cërvena Zvezdës do të përfundojë me diferencë prej pesë golave për parisienët. Ndeshja është zhvilluar në stadiumin “Parc des Princes” të Parisit dhe i ka takuar xhiros së dytë të Grupit C të Ligës së Kampionëve.
Sipas gazetës franceze, zyrtari i Cërvena Zvezdës ka vënë bast rreth pesë milionë euro për të fituar dhjetëra milionë të tjerë, pasi e ka qëlluar bastin me saktësi. Ky bast ishte sinjalizuar edhe në UEFA nga organizata që lufton kurdisjen e ndeshjeve “FederBet”. UEFA më pas ua kaloi informatat autoriteteve kombëtare të Francës.