Vendimi për të luajtur ndeshjet pa shikues si mënyrë për të vazhduar garat gjatë periudhës së përhapjes së koronavirusit, është kontestuar për shkaqe shëndetësore dhe po ashtu për shkak të atmosferës joreale që po krijohet në stadiume të zbrazura, shkruan agjencia Reuters të mërkurën, transmeton Koha.net.
Xhirot e radhës në elitën e futbollit të Francës, Spanjës dhe Portugalisë do të luhen pa shikues, siç do të luhen edhe disa ndeshje të Bundesligës gjermane. Po ashtu pa shikues janë luajtur edhe ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës.
Por, sistemi është refuzuar në Itali, vendim më të prekur në Evropë nga koronavirusi. Pasi fillimisht u aprovua që ndeshjet e Serie A të luhen pa shikues një javë më parë, qeveria ndërroi mendje të hënën dhe pezulloi gjitha ndeshjet deri më 3 prill, ndërsa në vend po vazhdon rritja e numrit të personave të infektuar me koronavirus.
Ligat tjera, si Zvicra dhe Austria – ku qeveria ka ndaluar tubimet në masë – kanë preferuar që të pezullojnë garat në vend se të luajnë ndeshje pa shikues.
“Nga pikëpamja jonë, ndeshjet pa shikues janë rruga e fundit për të garantuar sigurinë e garës”, ka thënë Christian Ebenbauer, kryetar i Bundesligës së Austrisë.
Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola po ashtu ka insistuar se ndeshjet luhen për tifozët.
“Ne luajmë për njerëzit. Nëse ata nuk mund të jenë në stadium, atëherë nuk ka kuptim. Është sikur një aktor të shkojë në teatër dhe të mos jetë asnjë aty për ta shikuar”, ka thënë Guardiola.
Unioni i Lojtarëve të Spanjës (AFE) ka thënë se preferon që garat të shtyhen, pasi ka vlerësuar se nuk ka kuptim të luhet pa shikues.
Të mërkurën, Asociacioni Botëror i Futbollistëve Profeionistë (FIFPro) ka thënë, se ndonëse zhvillimi i ndeshjeve në stadiume të zbrazura ka për qëllim të reduktojë rrezikun e përhapjes së virusit në mesin e lojtarëve, prapë vet lojtarët janë në rrezik.
“Futbollistët profesionistë, si punëtorët tjerë, janë të shqetësuar për veten dhe familjet e tyre dhe shoqërinë, se mund të ekspozohen ndaj koronavirusit gjatë jetës së përditshme të tyre. Për lojtarët ekspozimi vjen gjatë udhëtimeve, stërvitjeve apo edhe ndeshjeve. Çdo veprim të lidhura me këto aktivitete duhet të koordinohen në bashkëpunim të ngushtë me lojtarët dhe unionet e tyre”, është thënë në komunikatë të FIFPro.
Disa kanë paralajmëruar se tifozët do të shkojnë në stadiume prapë, duke krijuar rreziqe shtesë.
Të martën, Valencia e priti Atalantan në Ligën e Kampionëve pa shikues, pas rekomandimeve të qeverisë.
Por, qindra tifozë të Valencias u mblodhën në afërsi të stadiumit, ndonëse ka shqetësime se tubimet do të ndihmojnë në përhapjen e virusit.
Deri më tash, argumenti kryesor për zhvillimin e ndeshjeve ka qenë se duhet përfunduar stinori me kohë.
Por, Federata e Futbollit të Italisë (FIGC) ka vendosur një precedent tash duke pranuar se Serie A mund të mos përfundojë sipas planit dhe është sugjeruar një sistem plejofi për të caktuar kampionin dhe skuadrat që do të bien nga elita.
Derisa më tepër qeveri po vendosin kufizime të udhëtimeve e po bëhet më e vështirë të organizohen ndeshjet, edhe kampionatet tjera mund të kërkojnë zgjidhje të tilla.