NDI vlerëson barazinë gjinore në AAK, Haradinaj: E ndiejmë përgjegjësinë për përkrahjen e grave

Prishtinë | 25 Kor 2025 | 13:19 | Nga Ekonomia Online

Në kuadër të programit “Ditët e Partisë” të organizuar nga NDI në Kosovë, në prag të zgjedhjeve lokale, pjesë e panelit ishte edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha e NDI-së në Kosovë, Nancy Soderberg, vlerësoi përkushtimin e AAK-së për barazi gjinore dhe udhëheqje gjithëpërfshirëse.

“Është vërtet frymëzuese të shohësh përparimin që AAK-ja po bën në promovimin e udhëheqjes gjithëpërfshirëse dhe barazisë gjinore. Veçanërisht e mirëpresim emërimin e tri grave si kandidate për kryetare. Urime për këtë arritje të rëndësishme. Këto hapa dërgojnë një mesazh të fuqishëm dhe të qartë se AAK-ja është vërtet e përkushtuar për të avancuar agjendën e saj gjinore dhe për të ndërtuar një peizazh politik më përfaqësues. Presim me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë dhe të ndërtojmë mbi këtë vrull pozitiv. Sepse e dimë që kur gratë fuqizohen, kur gratë kanë vend në tryezën vendimmarrëse, ndryshimi ndodh dhe ai ndryshim është më gjithëpërfshirës, më i përgjegjshëm dhe më afër nevojave të të gjithë qytetarëve. Është karakterizuar nga profesionalizmi dhe hapja, në përpjekjet tona për të mbështetur një qasje gjithëpërfshirëse dhe të përgjegjshme”, shtoi ajo.

Ndërsa, i pari i AAK-së Ramush Haradinaj falënderoi NDI-në për bashkëpunimin shumëvjeçar, duke theksuar se rezultatet e mira në komunat që qeveris AAK-ja janë edhe meritë e mbështetjes së ofruar nga kjo organizatë.

Ai i bëri thirrje grave të angazhohen më shumë në politikë dhe shoqëri, duke theksuar se AAK-ja e ndien përgjegjësinë për të përkrahur gratë në secilën hapësirë vendimmarrjeje.

“Dy dekada e gjysmë bashkëpunojmë. Jemi të gëzuar që e shohim këtë bashkëpunim. Falënderoj për ndihmën që na keni dhënë. Kur kemi filluar politikën kemi qenë të rinj dhe pa përvojë. Jemi të mirë edhe falë juve. Ne po shkojmë në zgjedhjet komunale, por po shkojmë me krenari dhe sukses në komunat që qeverisim. Kemi rezultate të mira dhe besoni që i kemi falë juve si staf në komunat ku qeverisim. Është krenari të kemi këtë vleresim kaq të lartë. Po vlerësohemi aty ku jemi në bashkëqeverisje si Ferizaj, Kamenicë e Podujevë. Ne në Aleancë e ndiejmë përgjegjësinë për përkrahjen e grave. Ju lus që të jepni më të mirën nga vetja për pozitën e gruas në shoqërinë tonë”, tha Haradinaj.

Të ngjashme