Ndihmat e mbledhura për djalin që vdiq, Familja Abazoviq i dhuron për spitalin e Ulqinit

Prishtinë | 14 Jan 2022 | 19:47 | Nga Ekonomia Online

Qendra Shëndetësore në Ulqin prej sot është më e pasur me aparatin më modern të skanimit, të njohur si CT skaner, rezultat i donacionit të familjes së Allmir Abazoviq.

Rikujtojmë se familja në fjalë para dy vitesh humbi nga një sëmundje e rëndë djalin e tyre, Emron, dhe ndihmat e mbledhura për shërimin e tij vendosi ti dhurojë në këtë formë.

Aparatura në fjalë kushtoi mbi 298 mijë euro, dhe do të shërbejë në diagnostikimin në kohë të sëmundjeve të rënda, transmeton Tvteuta.

Në ceremoninë e dorëzimit të këtij donacioni, përveç zyrtarëve të Qendrës Shëndetësore dhe anëtarëve të familjes, ishin prezent edhe ministrja e shëndetësisë Jelena Boroviniq Bojoviq dhe zv.kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në fjalën hyrëse, drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Sadije Hollaj, falenderoi familjen Abazoviq për donacionin, i cili, siç tha do të mundësojë një mbrojtje më të lartë shëndetësore për banorët e Ulqinit.

Ministrja Boroviniq Bojoviq, duke shprehur ngushëllimet për humbjen e parakohëshme të djalit të tyre, falenderoi familjen Abazoviq për gjestin human, i cili mundësoi pajisjen me këtë aparaturë aq të vlefshme.

Zv.kryeministri Abazoviq tha se kjo është një ditë e madhe për Ulqinin, kur familja e tij i kthen një borxh jo vetëm qytetarëve të Ulqinit, por të gjithëve që u solidarizuan dhe kontribuan në aksionin për të ndihmuar djalin e tyre.

“Jam i sigurtë se Emroja do të ishte shumë krenar sot.”, tha Abazoviq, duke uruar që qytetarët të kenë sa më pak nevojë për këtë aparaturë.

Skaneri në fjalë do të jetë në dispozicion të qytetarëve sapo të përfundohet trajnimi i të punësuarve për përdorimin e tij.

Të ngjashme