Saktësisht, një vit më parë, më 11 mars 2020, 52 mijë tifozë, përfshirë 3 mijë nga Spanja, ishin të pranishëm në stadiumin “Anfield”. Atletico Madridi e eliminoi Liverpoolin nga Liga e Kampionëve në një ndeshje dramatike.
Mbetet një prej ndeshjeve të fundit me tifozë në tribuna, në ndeshjet sportive në Angli.
Vetëm disa orë para nisjes së atij dueli, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), njoftoi për përhapjen e koronavirusit si pandemi globale.
Shqetësimet për këtë virus bënë që Serie A t’i suspendojë ndeshjet më 9 mars.
Ndërkohë, ballafaqimet e Ligës së Kampionëve, Valencia-Atalanta dhe PSG-Dortmund, më 9 dhe 10 mars, u zhvilluan në stadiumet e zbrazëta.
Në ditët, javët dhe muajt tjerë, pandemia ndikoi në kalendarin sportiv në Evropë, dhe shumica e ngjarjeve të mëdha sportive u shtynë ose u anuluan.
Më 12 mars, La Liga ndërpreu kampionatin ndërsa lojtarët e Real Madridit u karantinuan pasi njëri nga lojtarët e klubit të basketbollit doli pozitiv me virus.
Më vonë gjatë po të njëjtës ditë, trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, po ashtu doli pozitiv për Covid-19, dhe më 13 mars u shty i gjithë futbolli në Angli, përfshirë edhe Premier League.
Bundesliga e Gjermanisë vazhdoi, por u ndërpre më 16 mars.
Më 17 mars, presidenti i UEFA-s, Alexander Çeferin, njoftoi se “Euro 2020” është shtyrë për një vit.
Afër fundit të muajit mars, pati spekulime se ndeshja e parë e fazës së nokautit ndërmjet Atalantas dhe Valencias më 19 shkurt, kontribuoi në përhapjen e madhe të infeksionit në Bergamo.
Virusi nuk ndikoi vetëm në futboll. “French Open”, “Tour de France”, “Maratona e Londrës” dhe kampionati i ragbit “Six Nations”, u shtynë të gjitha. Ndërkohë, “Wimbledoni” dhe “Open Championship” në golf, u anuluan.
Përderisa shumica e ligave evropiane ishin të vendosura ta përfundonin sezonin, disa prej tyre vendosën që t’i japin fund.
Më 30 prill, Ligue 1 në Francë, deklaroi se sezoni ka përfunduar dhe se PSG-ja është kampione.
Dy muaj më vonë, pas pezullimit të madh të futbollit, Bundesliga u bë liga e parë e madhe në Evropë që u rikthye. Dortmundi ishte nikoqir i Schalkes më 16 maj, në stadiumin e zbrazët në “Westfalenstadion”. Ishte situatë normale, diçka e re.
La Liga rinisi më 11 qershor, ndërsa Premier League, një javë më vonë, 100 ditë pas shtyrjes së kampionatit. Aston Villa luajti me Sheffield Unitedin, kurse Manchester City në derbi ndaj Arsenalit.
Liverpooli me çdo kusht dëshironte ta kompletonte sezonin në Premier League për t’i dhënë fund epokës 30-vjeçare pa triumf në kampionat. “Të kuqtë” u konfirmuan kampion për herën e parë në 30 vjet, më 25 qershor.
Përkrahësit e klubit që nuk u lejuan të jenë në stadium, festuan në atë mbrëmje në rrugët përreth stadiumit “Anfield”.
UEFA u desh të bënte format të ri, ku ndeshjet e nokautit u zhvilluan me vetëm një ballafaqim, të cilat u organizuan në Lisbonë, nga çerekfinalja e tutje.
Bayern Munichu e mposhti PSG-në në finalen e 28 gushtit në “Estadio da Luz”, pa praninë e shikuesve.
Në fillim të dhjetorit, një numër i vogël i tifozëve u rikthyen në fushë në disa ndeshje në Angli, por plani nuk doli të jetë i suksesshëm pasi shkalla e infektimit pati rritje në muajt e dimrit.
Pas një viti, programi i vaksinimit ofron shpresë që tifozët të rikthehen në stadiume e palestra në një të ardhme të afërt. UEFA e ka një lloj shprese se fansat do të jenë të pranishëm në Kampionatin Evropian që zhvillohet në verë.