Lëvizja Studentore Sudim Kritikë Veprim ka ndezur qirinj para ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, për të shprehur ngushëllime për vrasjen e të riut Klodian Rasha nga një polic, përcjell Ekonomia Online.
“Të rinjtë po mbesin shpesh mes dy opsionesh dhune: të lëshojnë vendin ose të përballen me dhunën e pabarazisë dhe eliminimin nga vetë institucionet shtetërore. Këtë e gjeti edhe të riun nga Tirana, Klodian Rashën’, thuhet në reagimin e tyre.
“Për këtë vrasje nga uniformat, që për nga natyra e punës duhet të ofrojnë siguri, duhet të mbahet përgjegjësi e plotë penale dhe politike, përfshirë hetimi mbi tentativën për mashtrim e manipulim të së vërtetës. Çka në fakt po ndodh është vazhdim i dhunës për qytetarët të cilët kanë ngritur zërin në kërkim të drejtësisë. Të rinjtë e të gjithë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë në mënyrë që të ndërtojnë një alternativë përtej dy opsioneve të dhunës që ofron sistemi”, shkruan aty tutje.