Hoteli “Grand” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, kritikohet rregullisht në postimet në internet. Ja disa shembuj: “I pështirë, “gërmadhë” dhe “tmerr i vërtetë”. “Mbase më i keqi në të cilin kam qenë ndonjëherë”.
Por menaxherët nuk duken se i shqetësojnë fort këto fyerje të bëra nëpërmjet internetit. Ata nuk ofrojnë rezervime nëpërmjet ueb-faqes dhe rrallëherë ofrojnë qasje në internet; hoteli madje as që e ka një e-mail, shkruan sot Koha Ditore.
Duke qenë sinonim i modernes atëherë kur kjo pjesë e Ballkanit ishte ende pjesë e Jugosllavisë tani të vdekur, “Grandi” që ishte në pronësi të shtetit ka pësuar rënie kaq të madhe saqë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zakonisht një përkrahës energjik i gjithçkaje që vendi i tij ka për të ofruar, e ka të vështirë ta gjejë ndonjë fjalë të mirë për të.
“Nuk mendoj se është hoteli më i keq në botë, por kjo vetëm për shkak se bota është shumë e madhe”, ka thënë presidenti, duke u shprehur dyshues kur i tregova se po qëndroja në këtë hotel.