Me rastin e shënimit të 25 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas, ka filluar fushata e 16 Ditëve të Aktivizmit me ndriçimin e ndërtesës ku janë të vendosura Presidenca dhe Kuvendi – me ngjyrë portokalli.
Fushata ka filluar sot, më 25 nëntor, dhe është mbështetur nga Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
Kjo ditë është e njohur si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Gruas dhe përfundon me 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut.
Çdo vit përmes fushatës bëhen thirrje për veprime globale për të rritur ndërgjegjësimin në mbarë botën për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave.
Ngjyra zyrtare e fushatës është portokallia, që simbolizon një të ardhme të ndritshme dhe një botë të lirë pa dhunë ndaj grave.
Ndërtesa, ku janë të vendosura Presidenca dhe Kuvendi, do të qëndrojë e ndriçuar prej orës 18:30 deri të nesërmen.