Me kërkesë të presidentit të vendit, Hashim Thaçi, është mbajtur takimi i parë i grupit punues për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal dhe të Procedurës Penale.
Me këtë rast presidenti Thaçi, ka kërkuar të bëhen ndryshime përmbajtësore të procedurës penale, të cilat sipas tij, do të mundësojnë luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera negative në vend.
“Ne jemi dëshmitarë të ndryshimeve globale me të cilat po përballet gjithë bota, dhe Kosova nuk është imune, rreziqe të tilla kërkojnë infrastrukturë më të fuqishme ligjore në mënyrë që të luftohen këto dukuri. Kam potencuar prioritetin që ka Kosova në luftën kundër korrupsionit dhe krimit, inkurajoj grupin punues që t’i kushtojë vëmendje dispozitave duke bërë ndryshime që institucionet të kenë kompetenca për të goditur këto fenomene, besoj fuqishëm që iniciativa si kjo tregojnë se Kosova është shumë serioze dhe e vendosur krimin dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit”, tha Thaçi i cili inkurajoj ministrinë e drejtësisë që të ketë bashkëpunim me institucionet kompetente për ndryshimet e legjislacionit.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, në fjalën e saj tha se edhe ministria që ajo drejton ka vërejtur nevojën e rishikimit të kodit penal dhe procedurës penale të Kosovës.
“Përmes këtij procesi synojmë përparimin e legjislacionit në fushat si krim i organizuar dhe korrupsion, Kodi penal dhe kodi i procedurës penale të cilat kanë hyrë në fuqi nga viti 2013, si rezultat i konsultimeve kemi vërejtur që është e domosdoshme për rishqyrtim të këtyre dyjave”, tha Hoxha.
Kryesuesi i Këshillit gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, ka mirëpritur këtë ndryshim duke thënë se është vërejtur mangësia në implementimin e këtyre ligjeve.
“Këshilli gjyqësor mirëpret angazhimin e presidentit dhe të ministres për rishikimin e legjislacionit, gjykatat janë të interesuara që legjislacioni të përmirësohet. Zbatimi në praktik i këtyre ligjeve ka rezultuar me mangësi, e që këto mangësi duhet domosdoshmërish të zbatohen”, tha Idrizi.
Kryesuesi i këshillit prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj potencoi se janë të vetëdijshëm që sistemi i drejtësisë në Kosovë ka shumë sfida.
“Jemi të vetëdijshëm që drejtësia në përgjithësi e veçanërisht ajo penale ka kaluar shumë sfida. Shprehë gatishmërinë që të gjitha resurset të jenë aktiv për përmirësimin e sistemit të drejtësisë”, tha Isufaj.
Kurse, Besim Kelmendi i cili erdhi në vend të kryeprokurorit, Aleksandër Lumezi tha që është koha dhe nevoja për ndryshime të kodit të procedurës penale.
“Ajo që dua të veçoj është fakti se KPK ka nevojë për ndryshime në konfiskimin e pasurisë, çështje tjetër që mund të theksoj janë çështja e krimeve të luftës, sepse ato nuk duhet të kenë afate të hetimeve”, tha Kelmendi.
Qysh në fillim të mandatit si president i Republikës së Kosovës, Thaçi ka kërkuar rishikim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale