Ndryshimet e TVSH-së të cilat kanë filluar të aplikohen që nga 1 shtatori i vitit të kaluar, e që kanë të bëjnë me uljen e TVSH-së për produktet bazike prej 16% në 8% dhe ngritjen për produktet tjera prej 16% në 18% nuk kanë pasur efekt të madh në xhepin e qytetarëve. Kjo sepse ulja e çmimeve për produktet bazike ende nuk ka gjetur implementim
Ndryshimet fiskale të cilat tashmë janë të rregulluara me ligj në esencë sipas zyrtarëve të Agjencisë Tatimore të Kosovës janë bërë për të ndihmuar bizneset dhe konsumatorët, ndryshime këto të cilat do të jenë edhe ekonomike edhe sociale. Pra bizneset nuk do të paguajnë TVSH në makineri, linja të prodhimit dhe lëndë të parë dhe pjesa tjetër që ka të bëjë me uljen e TVSH-së në 8%.
Hulumtuesi nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, Berat Thaqi tregon arsyet se pse ky ndryshim nuk ka pasur ndikim në xhepin e qytetarit.
“Ulja e TVSH-së nga 16% në 8% ka përfshirë konkretisht disa produkte të caktuara si buka, mielli, orizi dhe disa shërbime tjera, si TVSH-në në energji, në shërbimet e ujit pra është bërë një përgjysmim i TVSH-së. Ky ndryshim ka ndikuar shumë pak në uljen e kostos së jetës së qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Thaqi.
Sipas tij ky problem e ka zanafillën që kur ka filluar rritja e pagave për sektorin publik, atëherë në prag të zgjedhjeve janë premtuar këto rritje, për interesa të ngushta politike dhe tash vendi gjendet në një situatë të vështirë, ku nga rritja e pagave kanë përfituar 90 mijë persona nga buxheti publik. Në këtë situatë për këta 90 mijë do të paguajnë të gjithë qytetarët tjerë, edhe ata të sektorit privat edhe ata të papunët, ata të cilët nuk kanë marrë rritje pagash, pra do të paguajnë për këtë vendim i cili ka qenë i pamatur dhe e ka futur buxhetin e Kosovës në një gjendje të tillë.
Nga produktet bazike për të cilat është ulur Tatimi mbi Vlerën e Shtuar vetëm kripa ka pësuar ndryshime në çmimin e saj, tani ajo kushton 30 cent. Ndërsa tek mielli, vajrat, sheqeri dhe disa shërbime tjera çmimi mbetet i njëjtë, me pak ndryshime. Në anën tjetër rritja e TVSH-së në 18% për mbi 100 mijë produktet e tjera është përcjellë në treg edhe me rritjen e çmimit të tyre e cila ka ndikuar negativisht në gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Krejt kjo është normale meqenëse lista e produkteve për të cilat është rritur TVSH-ja është shumë herë më e madhe se sa lista për të cilat është ulur TVSH-ja. Kështu në aspektin gjeneral këto ndryshime fiskale nuk kanë ndikuar në xhepin e qytetarëve ashtu siç është pritur.
Një ndër arsyet që ka mundur të ndikojë në mos vërejtjen e këtij ndryshimi nga ana e qytetarëve sipas menaxherit të një nga super-marketet në Kosovë, Arben Idrizi, është që furnitorët kanë ngritur çmimet e produkteve para hyrjes në fuqi të ligjit, e pastaj kur është futur në fuqi, çmimet kanë zbritur në gjendjen paraprake, duke bërë që mos të vërehen ndryshimet.
Ekspertët e ekonomisë kanë vlerësuar se ndryshimet e bëra nuk mund të kenë efekte të menjëhershme dhe se duhet të kalojë një kohë deri sa tregu të adaptohet me këto ndryshime. Tash 10 muaj pas këtyre ndryshimeve në bazë të çmimeve aktuale në treg ende nuk kemi ndonjë ndryshim pozitiv i cili duhet vlerësuar.