Qeveria e Kosovës ka miratuar disa ndryshime në agjendën legjislative të saj për vitin 2021. Janë shtyrë dhjetëra projektligje ndërsa janë futur në agjendë disa të tjera, raporton Ekonomia Online.
Ministria e Drejtësisë ka propozuar shtyrjen e projektligjit për tokën ndërtimore, ndërsa ka futur në agjendë projektligjin për ndryshime në ligjin për procedurën përmbarimore.
Ministria e Financave ka hequr projektligjin për skema sociale duke thënë se do të bëhet reformë e thellë andaj duhet të shtyhet ligji.
Ministria e Ekonomisë ka shtyrë projektligjin për ndryshime në Ligjin për Ndërmarrjet Publike sepse “ka nevojë të rishikohet edhe një herë”.
Ministria e Punëve të Brendshme ka futur tri ligje të reja, ndërsa ka shtyrë shtatë projektligje për një ose dy muaj.
Ministria e Shëndetësisë ka vendosur për shtyrjen për dy muaj të agjendës legjislative të propozuar nga ajo për shkak të situatës me pandeminë.