Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Sakip Imeri, në raportin e tij para Komisionit për Buxhet dhe Financa ka treguar edhe për ndryshimet që kanë ndodhur në rimbursimin e qytetarëve me kuponë fiskalë.
Ai ka thënë që tashmë nuk do të ketë rimbursim për të gjithë, shkruan sot Koha Ditore.
“Secili do të futet në lojë duke aplikuar, por duke mos i dorëzuar njëherë plikot me kupona fiskalë. Më pas do të zhvillohet një lojë shpërblyese, ku do të zgjidhen disa fitues, e më pas ata do të vijnë të marrin shpërblim me pliko”, tha Imeri.
Kjo ka ndodhur, sipas tij, pasi është e pamundur të vazhdohet me stafin e njëjtë për trajtimin e të gjitha plikove.
Gjatë dy vjetëve prej aplikimit të rimbursimit me kuponë fiskalë, kanë aplikuar 1.321.757 milionë qytetarë, janë pranuar 1.266.658 pliko, prej të cilave janë verifikuar 1.135.116 pliko dhe janë përcjellë për rimbursim 1.068.417 pliko. Shuma totale e rimbursimit të qytetarëve për dy vjet është 19.750.230 euro.