Në 19 vjetorin e vrasjes së gazetarit dhe anëtarit të LDK-së Enver Maloku, i cili ishte edhe njeri shumë i afërt me ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, u kërkua që të zbardhen vrasjet e pasluftës.
Ismet Beqiri, nga LDK, pas homazheve që ka bërë bashkë me anëtar të kryesisë së kësaj partie tek lapidari i Malokut në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.
Beqiri më tej ka shtuar se nuk do të ndalen së kërkuar që të zbardhën vrasjet e pas luftës. Ai ka shtua se dikujt po i pengon që të zbardhet vrasja që kanë ndodhur pas vitit 1999.
“Organet e drejtësisë e kanë për obligim t’i zbardhin këto raste dhe nuk do të rreshtim së kërkuari që të zbardhet vrasja e Enverit, aktivistëve të LDK-së dhe të gjitha vrasjet që janë bërë në Kosovë”.
“Po besojmë që nuk do të jetë larg dita kur do zbardhet vrasja e Malokut. Besojmë që dikujt i ka pengu të zbardhet vrasja e Malokut por edhe anëtarëve të tjerë të vrarë LDK-së”.
Vajza e Enver Malokut, njëherit edhe deputete e LDK-së, Doruntina Maloku, tha se LDK-ja sa ishte në qeveri kishte kërkuar themelimin e një komisioni për të hetuar ShIK-un.
Tani, sipas saj, të njëjtën gjë po e kërkon kryeparlamentari Kadri Veseli, ngaqë anëtarë të këtij komisioni do të jenë nga radhët e PDK-së, gjë të cilën LDK-ja do ta kundërshtoj.
“Ne si familje kemi pritur gjithmonë që Qeveria të largojë duart nga Drejtësia, dhe të lejoj Prokurorinë të lirë për hetimin e këtyre rasteve”.
“Ne kemi qenë të gatshëm që gjithmonë të hetojmë ShIK-un. Në këtë kohë kur Veseli kërkon që të themelohet komisioni për hetimin e ShIK-ut ne do të jemi kundër, pasi që nuk do të lejojmë që PDK-ja të hetojë vetveten. Ajo çfarë bën Kadri Veseli është kontraverse”.
Enver Maloku ishte udhëheqës i Qendrës për Informim në Kosovë, e cila gjatë viteve të 90-ta, shërbente si Agjenci Kombëtare e Lajmeve.
Ai u vra më 11 janar të vitit 1999, në kohë lufte, teksa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë, nga persona ende të panjohur për drejtësinë kosovare.